RTSH 24 Live

Sociale

Sezoni turistik në Sarandë, turistët drejtohen drejt banesave me qira

08/07/2024

Sezoni turistik në Sarandë, turistët drejtohen drejt banesave me qira

Sezoni turistik në nisje të muajit korrik, pritej që të hynte në fashën e lartë. Në fakt, plazhet janë plot me frekuentues, shëtitorja e tejmbushur mbrëmjeve dhe rrugët me fluks të lartë automjetesh. Ndërkaq, hotelierët janë të befasuar nga mungesa e klientelës.

Në vlerësimin e Arben Çipës, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit  në Sarandë, kjo përkthehet që turistët e kësaj vere të jenë orientuar në prenotimin e shtëpive dhe jo të hotelerisë.

 “Kemi një ndryshim të tipologjisë së turistëve, është mosha e re që nuk shpenzojnë, janë të favorizuar në këtë rast supermarketet dhe apartamentet”, tha Çipa

Në panoramën që paraqet ecuria e sezonit turistik 2024, muajt maj e qershor vlerësohen me rritje të prurjes, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që pranohet se krahasimi zbehet në nisje të korrikut.

Gjithsesi, korriku është ende në fillim dhe gushti është i gjithi përpara. Të gjithë subjektet që operojnë në fushë të turizmit, janë me shpresën që situata të ndryshojë, deri në përmbysje për mirë të treguesve. Sepse e pritshme është që kjo fashë, e turizmit intensiv të Sarandës, të dominohet nga moshat e reja, të cilët vijnë në numra shumë më të lartë dhe shpenzojnë pa kursim për pushime sa më cilësore. 

“Gjenerata po ndryshon, janë vizitorë të moshës së mesme dhe tek-tuk moshës së tretë duke besuar se kjo kategori do të ndryshojë edhe ekonominë”, tha ai.

Saranda dhe Ksamili janë destonacione me ofertë më cilësore dhe të diversifikuar, për pushimet e kësaj vere.

Gazetare Yllka Ponde

/rtsh.al/