Serbia ka nisur hetimet për tragjedinë që tronditi vendin pasditen e së premtes, kur të paktën 14 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë u plagosën pas shembjes së një pjese të çatisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Ndër viktimat ishin edhe 2 fëmijë, në një ngjarje që kryeministri serb Millosh Vuçeviç e përshkroi si një "të premte të zezë" për vendin dhe qytetin.
Presidenti Aleksandër Vuçiç kërkoi përgjegjësi penale dhe politike për këtë tragjedi, ndërsa opozita akuzoi autoritetet për korrupsion dhe kërkoi protestë.
Ndërsa, Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, njoftoi se 20 persona do të merreshin në pyetje, përfshirë punonjës të Ministrisë dhe të operatorit hekurudhor.
Stacioni, që ndodhet 70 km në veriperëndim të Beogradit, kishte kaluar nëpër rinovime në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa punime të tjera ishin kryer gjatë korrikut të këtij viti, kur Ministria e Transportit njoftoi se ishin investuar 16 milionë euro.
/ rtsh.al /