RTSH 24 Live

Ekonomi

Sejko: Pasojat e rritjes së inflacionit do ndihen këtë vit! Rezervat buxhetore të lehtësojnë kostot sociale të rritjes së çmimeve

16/06/2022

Sejko: Pasojat e rritjes së inflacionit do ndihen këtë vit! Rezervat buxhetore të lehtësojnë kostot sociale të rritjes së çmimeve

Përdorimi i rezervave buxhetore për lehtësimin e pasojave sociale të rritjes së çmimeve dhe fokusimi i politikave ekonomike drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve janë thirrjet që guvernatori i Shqipërisë Gent Sejko bëri gjatë raportimit vjetor në Kuvend. Sejko tha se rrija e çmimeve dhe paqartësia se deri kur do të zgjasin pasojat e luftën në Ukrainë ka krijuar pasiguri në tregjet financiare.

“Banka e Shqipërisë është në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Bazuar në informacionin aktual dhe analizat tona, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare ka premisa të mjaftueshme për ti rezistuar goditjes dhe për të shmangur recesionin. Në këto rrethana, fokusi i politikave ekonomike duhet të orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, si një parakusht për stabilitetin financiar të vendit dhe për rritje të qëndrueshme e afatgjatë, dhe në ndihmën ndaj shtresave më në nevojë. Ky fokus do të kërkojë rishikimin në vazhdimësi të përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare, si dhe ruajtjen e fleksibilitetit buxhetor për të adresuar kontigjencat e mundshme në drejtim të lehtësimit të kostove sociale, pa dëmtuar qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik”, tha Sejko.

Guvernatori tha se pati rimëkëmbje ekonomike që solli rritje punësimi dhe page gjatë 2021, po shtoi se inflacioni në vend dhe në botë po regjistron nivelet më të larta të dy dekadave të fundit dhe do jetë më të ndjeshme gjatë këtij viti

“Kryefjala e zhvillimeve ekonomike të vitit 2021 ishte rimëkëmbja dhe konsolidimi. Aktiviteti ekonomik në vend shënoi një rikuperim të shpejtë e të gjithanshëm, ndërsa treguesit kryesorë të shëndetit ekonomik e financiar u konsoliduan.  Frytet e kësaj rimëkëmbjeje ishin të pranishme në thuajse të gjithë sektorët dhe degët kryesore të ekonomisë. Rikuperimi i gjithanshëm i kërkesës gjeneroi më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet shqiptare, duke përmirësuar bilancet e tyre financiare dhe duke rritur qëndrueshmërinë e burimeve të rritjes. Rimëkëmbja ekonomike solli rritje të punësimit, të pagave dhe të marzheve të fitimit, çka u materializua në rritje të presioneve të brendshme inflacioniste. Për rrjedhojë, inflacioni shënoi një rritje graduale gjatë vitit të shkuar, ndonëse ai vijoi të mbetet nën objektiv”, tha Sejko.

/rtsh.al/