RTSH 24 Live

Sociale

Saranda mirëpret turistët e parë, problem mungesa e punonjësve në sektorët e shërbimit

26/05/2023

Saranda mirëpret turistët e parë, problem mungesa e punonjësve në sektorët e shërbimit

Saranda, qyteti simbol i turizmit shqiptar ndez motorët e sezonit turistik. Padyshim që porta e parë e mirëseardhjes është Porti i Sarandës, ku sipas të dhënave statistikore nga ky port gjatë këtij viti numri i ardhjeve me linjat e trageteve krahasuar me vitin e kaluar është 70% më i lartë .

Ndërkohë që është shtuar numri i jahteve që vijnë kryesisht nga Korfuzi.

Saranda, kjo perlë e turizmit bregdetar të Shqipërisë, këto ditë duket më e bukur se kurrë. Deti i kaltër dhe turistët që shijojnë “ditët e vonuara “me diell janë lajmëtarët e parë se në prag po troket sezoni turistik veror. Hotelet dhe resortet janë në pikun e punës për të pritur mysafirët e parë.

Astrit Zenjo, një prej sipërmarrësvë i cili ka 23 vite qe investon në sektorin e turizmit thotë se me punën e tij dhe me bukuritë që ofron bregdeti në Sarandë ka “joshur”turistë të huaj, madje ka sjellë dhe kompani të huaja duke bërë që turistët polakë, cekë e ngado që të vijnë të ndihen si në shtëpinë e tyre.

Një ndër problemet që sërish këtë sezon po shqetëson investitorët në sektorin e turizmit është mungesa e punonjësve, qoftë dhe ata sezonal, por dhe luhatjet e fundit në tregun valutor, kryesisht euros pasi shume prej kontratave këtu e një vit më parë janë bërë në këtë valutë.

Ndërkohë sipas operatorëve dhe agjensive turistike sivjet ka një fluks të shtuar të prenotimeve nga turistë të huaj por dhe vendas. Pritshmëritë sipas tyre janë për një sezon të begatë përgjatë muajve të verës në plazhet e Sarandës, Ksamilit por dhe gjithë bregut të detit.

Saranda e bekuar nga zoti në bukuri e pasuri është kampione në turizëmin bregdetar dhe synohet të kalohet nga një turizëm i zakonshëm dhe sezonal në një turizëm elitar dhe gjithëvjetor.

Për këtë arsye investitorët kërkojnë vëmendje nga instancat shtetërore që Saranda dhe banorët e saj të sigurojnë të ardhura nga ky sektor prioritar në këtë qytet.

/RTSH/