Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka riafirmuar mbështetjen ndaj Ukrainës. Këtë qëndrim, Osmani e shprehu në Dubrovnik ku po merr pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik në Kroacisë.
“Në Samitin e liderëve Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik për ta riafirmuar mbështetjen për të drejtën e popullit ukrainas për të jetuar në liri!”, ka shkruar Presidentja Osmani e cila merr pjesë në këtë samit me ftesë të Kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Në këtë takim, po merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, me të cilin është takuar edhe Osmani.
Rama është takuar fillimisht me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.
Serbia në këtë samit përfaqësohej nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili qëndronte krah kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Në samit morën pjesë edhe kryeministrat dhe ministrat e jashtëm nga, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Sllovenia dhe Turqia.
Kroacia priti liderët e 12 shteteve rajonale dhe Zelenskyn në këtë udhëtim të tij për të siguruar mbështetje nga aleatët, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në SHBA mund t’i lënë nën hije zhvillimet në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti të mërkurën në Kroaci, ndërsa vendi i tij përpiqet të ndalë avancimet ruse në lindje të Ukrainës, me Kievin që kërkon më shumë ndihmë ushtarake.
Zelensky tha në platformën X se kishte mbërritur në Kroaci për të marrë pjesë në samitin që po mbahet në jug të Dubrovnikut.
Samiti do të diskutojë për “përpjekjet ndërkombëtare për ta afruar paqen… si dhe bashkëpunimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha ai.
Samiti do të tregojë se “i gjithë rajoni mbështet Ukrainën dhe popullin ukrainas në luftën për liri”, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.
/rtsh.al/