Mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut pritet të prodhoje vendime të rëndësishme, jo vetëm për modernizimin e Aleancës por edhe për mbështetjen e premtuar për Ukrainën.
Fitorja e saj është kryefjala në këtë samit të 75-të, që ka prodhuar edhe polemika për shkak edhe të qëndrimeve të disa prej vendeve anëtare si Hungaria, pasi Viktor Orban, javët e fundit ka zhvilluar vizita në Kinë dhe Rusi.
Orët në vijim do të demonstrojnë angazhimin e NATO-s për garantimin dhe mbrojtjen e hapësirës se saj dhe mbështetja për popullin e Ukrainës, raporton nga Uashingtoni, gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani.
Pjesë e këtej samiti është dhe delegacioni shqiptar që kryesohet nga kreu i qeverisë, Edi Rama, nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, si dhe ministria e Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm për gjatë gjithë zhvillimit të këtij Samiti ku udhëheqësit e NATO-s kanë trajtuar një sërë çështjesh me të cilat përballet Aleanca dhe kanë siguruar që NATO të mbetet e gatshme për t’iu përgjigjur çdo sfide.
Ndërkaq, NATO ka nënshkruar një kontratë gati 700 milionë dollarë për t'i bërë vendet anëtare të prodhojnë më shumë raketa Stinger.
Ky shihet si një nga hapat kryesorë që aleanca po bën presion në samitin e saj në Uashington për të detyruar secilin vend të rrisë aftësitë e veta të prodhimit të armëve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në largim, Jens Stoltenberg bëri të ditur sot kontratën në një ditë me atë të industrisë së Dhomës së Tregtisë, e fokusuar në rritjen e aftësive prodhuese të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s për të penguar sulmet e ardhshme.
“Nuk ka asnjë mënyrë për të siguruar mbrojtje të fortë pa një industri të fortë të mbrojtjes” tha Stoltenberg.
Stinger është një sistem mbrojtës portativ tokë-ajër që mund të bartet dhe të lëshohet nga trupat ose të montohet në një automjet dhe të përdoret si mbrojtje me rreze të shkurtër kundër avionëve.
Sistemi i prodhuar nga Raytheon ishte një nga armët e para që SHBA dërgoi në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë në vitin 2022.
Samiti i NATO-s po zhvillohet në një sfond pasigurie ku polarizimi politik në SHBA vonoi dërgesën e armëve në Ukrainën me muaj të tërë dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale po ngrenë shqetësimin se mbështetja e SHBA-ve me armë dhe trupa - në rast kërcënimesh kundër vendeve anëtare mund të mos jetë gjithmonë e garantuar.
Donald Trump, kandidati republikan ka deklaruar gjatë fjalimeve të fushatës se do të inkurajonte Rusinë të bënte ashtu siç dëshironte me anëtarët e NATO-s që nuk përmbushin angazhimin e tyre për të shpenzuar 2% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtje.
Nga 32 anëtarë të NATO-s, 23 pritet të përmbushin angazhimin prej 2% këtë vit, nga vetëm gjashtë para pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Që nga pushtimi, SHBA-ja ka ofruar më shumë se 53.6 miliardë dollarë në armë dhe ndihmë sigurie për Ukrainën.
Kjo mbështetje vjen në një kohë kur SHBA po dërgon gjithashtu armë në Izrael dhe Tajvan, duke ka tensionuar rezervat e SHBA. Pjesa tjetër e anëtarëve të NATO-s dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë kanë ofruar gjithsej rreth 50 miliardë dollarë në armë dhe ndihmë sigurie, sipas Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, një organizatë e pavarur kërkimore me qendër në Gjermani.
Këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan i tha Dhomës së Tregtisë se për herë të parë ndonjëherë, vendet e NATO-s do të zotohen secila të bëjë plane për të forcuar kapacitetin e tyre të mbrojtjes industriale. Ai tha se kjo do të ndihmojë aleancën "të japë prioritet prodhimin e pajisjeve më jetike të mbrojtjes që do të na duheshin në rast të një konflikti".
Dy zyrtarë të NATO-s, duke folur në kushte anonimiteti për të dhënë detaje thanë se një pjesë e samitit është përqendruar në angazhimin e secilit anëtar për paraqitjen e planeve industriale të mbrojtjes gjatë vitit të ardhshëm se si ato do të nxisin prodhimin e brendshëm.
32 anëtarët kanë madhësi dhe aftësi të ndryshme të industrisë së mbrojtjes, kështu që plani i secilit vend mund të ndryshojë gjerësisht, nga partneriteti me industrinë, tek partneriteti me vendet e tjera, tha një nga zyrtarët.
/rtsh.al/