Kryeministri Edi Rama dhe krerë të shteteve dhe qeverive të pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian do të marrin sot pjesë në Samitin e 10-të të Procesit të Berlinit.
Gazetarja Denada Shkodrani ka sjellë detaje për RTSH 24, ku ka bërë me dije se Samiti do të fokusohet te bashkëpunimi dhe agjenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë samit pritet të nënshkruhet gjithashtu edhe marrëveshja me planin e veprimit për një treg të përbashkët rajonal 2025–2028.
“Më 2022 u risoll vëmendja te Procesi i Berlinit me luftën në Ukrainë. Kancelari Sholz dhe Makron u rikthyer fuqishëm me projektin e BE për përafrimin e vendeve që janë pjesë e saj.
Agjenda sot do të vijojë me mbërritjen e liderëve në hyrje të kancelarisë gjermane në 09:30. Për të vijuar me takimet ku do fokusohen në çështje që kanë të bëjnë me energjinë e gjelbër, ndërlidhjen dhe çështje të tjera të energjisë, proces ky që i paraprin përafrimit të legjislacionit të 6 vendeve të BP me atë të BE. Do vijojë më pas me nënshkrimin e një marrëveshje që konsiston me planin e veprimit të përbashkët të tregun rajonal 2025-2028”, deklaroi Shkodrani.
Kjo e fundit theksoi se pritet gjithashtu që të ketë një mbështetje të madhe financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se në kuadër të këtij projekti të iniciuar nga Presidentja e KE, Ursula fon der Lajen (Von der Leyen) vendet e Ballkanit Perëndimor do marrin fonde të konsiderueshme, ku konkretisht Shqipëria pritet të përthithë 1 mld euro që do jenë kryesisht grante dhe financime, një kredi e butë e BE për të përmbushur reformat që do duhen në Bashkimin Evropian.
Shkodrani bëri me dije më tej se më 15 tetor do të mbahet në Luksemburg tryeza e cila do të çelë konferencën ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së ku pritet të merret drita jeshile për kapitullin kryesor që ka të bëjë me zbatimin e shtetit të së drejtës, administratën publike, prokurimin publik dhe çështje që kanë të bëjnë në themel të shtetit të së drejtës.
“Është grup kapitulli i parë dhe më i vështiri. Duket se ambicia e Shqipërisë dhe qeverisë, Kryeministri Rama parashikon që ky rrugëtim të përfundojë gjithë grup kapitujt deri në 2028”, deklaroi Shkodrani.
Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.
/rtsh.al/