RTSH 24 Live

Televizion

RTSH–RTK nënshkruajnë "Memorandum bashkëpunimi", mediet publike me zyrë të përbashkët

29/08/2023

RTSH–RTK nënshkruajnë "Memorandum bashkëpunimi", mediet publike me zyrë të përbashkët

Një Memorandum Bashkëpunimi i ri është nënshkruar mes RadioTelevizionit Shqiptar (RTSH) dhe RadioTelevizonit të Kosovës (RTK) në vazhdën e thellimit të bashkëpunimit mes dy medieve të mëdha publike në Shqipëri dhe Kosovë.

Memorandumi u nënshkrua në Prishtinë nga Drejtori i Përgjithshëm i RadioTelevizionit Shqiptar, Alfred Peza, dhe nga homologu i tij në RTK, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Në ambientet e RTK-së, dy drejtuesit vendosën të krijojnë një zyrë të përbashkët mes RTSH-së dhe RTK-së, e cila do të shërbejë për shkëmbimin e materialeve programore.

Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, z. Peza, në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy transmetuesve publikë.

Gjëja kryesore është krijimi i një zyre të përbashkët për bashkëpunim të pandërprerë me kolegët tanë në Prishtinë, 24 orë në 7 ditë të javës, për të shkëmbyer informacione, programe dhe gjithçka tjetër në interes të dy televizioneve tona, për të informuar sa më mirë publikun shqiptar këndej dhe andej kufirit,” tha z. Peza.

Ndërsa z. Ahmetxhekaj, Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, u shpreh se Memorandumi, përveç racionalizimit të shpenzimeve, e sjell publikun e Kosovës dhe të Shqipërisë më afër njëri-tjetrit dhe i vendos të dy transmetuesit publikë në shërbim të njëri-tjetrit.

Pra, ne do të kemi qasje 24 orë në javë në programet e RTSH-së dhe të njëjtën qasje do të ketë edhe RTSH-ja në programacionin tonë,” tha z. Ahmetxhekaj.

Ai tha se në kuadër të këtij bashkëpunimi, gazetarët e të dy mediumeve do të kenë lidhje të drejtpërdrejta e po ashtu do të ndajnë ngjarjet që kërkohen nga njësitë e informacionit apo programacionit.

Ky është një bashkëpunim që deri më tash nuk ka ekzistuar në këtë formë dhe jam shumë i lumtur që arritëm ta finalizojmë në një kohë rekord,” shtoi z. Ahmetxhekaj.  

Në këtë takim, dy drejtuesit e televizioneve u dakordësuan edhe për jetësimin e projekteve të së ardhmes, si dhe për të thelluar më shumë bashkëpunimin mes dy medieve më të mëdha publike në Shqipëri dhe Kosovë.

/rtsh.al/