RTSH 24 Live

Televizion

RTSH, përfundon raundi i parë i gares për postin e Drejtorit të Përgjithshëm

11/11/2021

RTSH, përfundon raundi i parë i gares për postin e Drejtorit të Përgjithshëm

Gati dy jave më parë, Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar në mbledhjen e tij të datës 28 tetor vendosi çeljen e garës pëer postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH.
Gara u hap zyrtarisht datë 1 Nëntor 2021, datë nga e cila kandidatët e interesuar, për dhjetë ditë me radhë, deri në datën 10 nëntor, sipas Statutit te RTSH-se kishin mundësi të dorëzonin dokumentacionin e kërkuar dhe aplikimet e tyre.
Ditën e mërkure, më datë 10 nëntor në mesnatë, gara u mbyll. Nga ky moment, po në bazë të Statutit të RTSH-së, nenit 11 të tij, Këshilli Drejtues në ditët në vijim do të duhet të marrë në shqyrtim dosjet me aplikimin e secilit kandidat për të bërë vlerësimin e kandidaturave dhe me votim të fshehtë për të vendosur përfshirjen e tyre në garë duke i renditur sipas rendit alfabetik.
Kandidatët që kanë plotësuar kriteret do të ftohen të paraqesin platformat e tyre para KDRTSH brenda një afati 5 ditor nga përfundimi i aplikimeve ku secilit i mundësohen 15 minuta kohë për paraqitjen e platformës dhe 15 minuta kohë për pyetje me anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Pas kësaj procedure Këshilli do të votojë sipas parimit një anëtar një votë. Kandidatura që siguron 3 të pestat e votave zgjidhet drejtor i përgjithshëm i RTSH, në të kundërt dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota kalojnë në një raund të dytë votimi.
Nëse në raundin e parë nuk arrihet shumica prej tre të pestash, KDRTSH cakton datën e votimit të dytë që zhvillohet brenda 7 ditëve dhe po kështu vijohet deri në një raund të tretë votimi. Në rast se edhe në votimin e tretë nuk arrihen 3 të pestat, në raundin e 4 dhe të 5 drejtori i përgjithshëm zgjidhet me më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve.