RTSH 24 Live

Muzikë

RTSH në Spotify, të gjitha prodhimet në platformën më të madhe të muzikës në botë

23/04/2024

RTSH në Spotify, të gjitha prodhimet në platformën më të madhe të muzikës në botë

Radio Televizioni Shqiptar për herë të parë do të këtë kanalin e tij në platformën Spotify. Pas një pune intensive tashmë çdo gjë është gati teksa janë ngarkuar materialet e para të cilat janë përzgjedhur me shumë kujdes.

“Spotify është një platformë digjitale ndërkombëtare shumë e pëlqyer nga audienca. U mendua që edhe RTSH të ketë profilin e saj aty për të qenë sa më afër audiencës dhe për të mundësuar aksesimin në programet aktuale të saj, por edhe në shumë materiale arkivore të cilat duhen theksuar që kanë një vlera të jashtëzakonshme”, u shpreh kordinatorja e grupit të Punës, Santana Xheladini.

Të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen do të mund të aksesojnë përmes platformës Spotify të gjitha prodhimet e RTSH, jo vetëm ato aktualet, por edhe ato të viteve të kaluara.

Pas një kërkimi të detajuar mbi materialet që disponon arkiva e RTSH është përcaktuar përmbajtja që do të ketë fillimisht ky profil. Ne i kemi kanalizuar në dy drejtime, siç i referohemi fondi muzikor dhe fondi i folur”, shtoi Xheladini.

Kanali i RTSH në platformën e tij në Spotify do të përfshijë fondin muzikor dhe fondin e folur, ku nga fondi muzikor janë përzgjedhur këngët e 15 festivaleve të fundit të këngës në RTSH, përfshirë edhe festivalin e fundit Fest 62.

Nga fondi i folur do të përfshihen emisione, radionovela, podcaste dhe një hapësirë dedikuar fëmijëve me përralla të ndryshme.

Përshtatet me rrugët e reja të komunikimit dhe të hyjë në këto rrugë të komunikimit dhe kjo bën mbështetje shumë të fuqishme dhe për mediumin në vetvete. Që do të thotë që RTSH është një prodhues i audiogramave dhe fonogrameve origjinale. Është diçka shumë e mirë që po fillojmë të ngarkojmë sipas kategorive, karakterit të gjithë kontentin”, tha Drejtori i Programeve në Radio Tirana, Bojken Lako.

Materialet të cilat do të ngarkohen në Spotify do të jenë të kuruara deri në detaje teksa do të përfshijnë jo vetëm informacione të detajuara, por edhe faqosje grafike të detajuar.

“Po punojmë për të gjitha coverat e këngëve që janë bërë ndër vite të festivalit, për ato të podcasteve dhe emisioneve”, u shpreh grafistja Roana Balillari.

Por cilat janë sfidat dhe objektivat në të ardhmen?

"Është menduar që të aplodohen edhe programe që do të sjellin librin digjital për të gjithë të apasionuarit. Më tej do të kemi edhe rubrika sportive, skeco-humoristike apo shumë materiale të tjera” tha kordinatorja e grupit të Punës.  

Ky zhvillim është pjesë e modernizimit rrënjësor që i është nënshtruar RTSH-së, me synimin për ta rikthyer sërish të madhe në epokën digjitale.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/