RTSH 24 Live

Ekonomi

Rriten të ardhurat në buxhet për 8-mujorin, 38.2 mld lekë më shumë se 2023

9 orë para

Rriten të ardhurat në buxhet për 8-mujorin, 38.2 mld lekë më shumë se 2023

Gjatë 8 muajve të parë të vitit, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, janë mbledhur 38,2 miliardë lekë më shumë se plani fillestar.

Në këtë periudhë të ardhurat tatimore kanë pasur performancën më pozitive të cilat realizuan 12,2 për qind të ardhura më shumë sesa 8-mujori i vitit të kaluar.

Krahasuar me planin 8-mujor, të ardhurat e mbledhura janë 6,7 miliardë lekë më shumë. ndikimin më të lartë në këto të ardhura pozitive e kanë dhënë hyrjet nga TVSH-ja, të nxitura nga sezoni i mbarë turistik, të cilat shënuan 7 miliardë lekë ose 22,7  për qind më shumë sesa 8-mujori i vitit 2023.

Efekt pozitiv ka dhënë edhe rritja e pagave në administratë dhe rritja e numrit të kontribuesve, duke bërë që të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të mbledhura nga administrata tatimore të jenë 10,7 miliardë lekë më shumë sesa 8-mujori i një viti më parë.

Të ardhurat doganore u realizuan me 11,3 miliardë lekë më shumë sesa në 8 muajt e parë të vitit 2023.

Pavarësisht kursit të këmbimit, të ardhurat nga TVSH-ja për importet në 8-mujor rezultojnë me 7,6 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit më parë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar 9,8 për qind më shumë se në vitin 2023 për shkak të rritjes së importit të mallrave me akcizë, ndërsa të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1,9 miliardë lekë, duke regjistruar një rënie prej 6,5 për qind në raport me një vit më parë.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/