RTSH 24 Live

Ekonomi

Rriten eksportet e prodhimeve bujqësore, kërkesa të larta edhe nga tregu vendas

09/12/2024

Rriten eksportet e prodhimeve bujqësore, kërkesa të larta edhe nga tregu vendas

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se eksportet bujqësore vijojnë që të kenë rritje të qëndrueshme.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, eksportet e produkteve bujqësore gjatë muajit tetor të këtij viti arritën sasinë 31.300.77 ton. Krahasuar me një vit më parë, eksportet bujqësore shënuan rritje në sasi me +3.98 %.

Vitet e fundit produktet bujqësore ‘Made in Albania’ po konsolidojnë praninë e tyre në  tregjet e huaja. Shifrat në trend pozitiv tregojnë rritje të cilësisë dhe fuqizimit të fermerëve në vend, ndërsa skemat e mbështetjes kanë nxitur fermerët të shtojnë investimet në prodhim dhe teknologji.

Sipas MBZHR-së, gjatë tetorit, vlera e eksporteve bujqësore shënoi shifrën e 4.49 miliardë lekëve.

Nga ana tjetër në tregjet agro-ushqimor të vendit numri i blerësve vijon të mbetet i lartë edhe në prag të festave të ndërrimit të viteve.

Ajo çfarë po mbizotëron në tezgat e tregjeve janë produktet vendase, sidomos frutat dhe perimet e sezonit.

Për sa i përket çmimeve të produkteve, konsumatorët shprehen se janë të përballueshme dhe prodhimet vendore janë tepër cilësore.

"Konsumojmë frutat dhe perimet ende të fshatit. Janë bio. Janë prodhime të stinës,” shprehen ata.

/rtsh.al/