RTSH 24 Live

Ekonomi

Risitë e Postës Shqiptare, Balluku: Transport me dron të pakove postare, tërheqje e pensioneve në bankomate

07/12/2023

Risitë e Postës Shqiptare, Balluku: Transport me dron të pakove postare, tërheqje e pensioneve në bankomate

Një projekt i madh do të përfshijë shërbimet nga Posta Shqiptare. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e pranishme në 111-vjetorin e krijimit të Postës Shqiptare, tha se është projektuar dhe dizenjuar një zhvillim i ri innovator dhe teknologjik. "Synojmë që pagesat të kryhen në mënyrë elektronike. Ne synojmë që përmes një investimi të rëndësishëm që do bëhet në pikat e shpërndarjes, në ATM-të e quajtura ndryshe, gjatë vitit 2024, ne t’i japim mundësinë çdo pensionisti që të shkojë dhe të tërheqë këto para pa pasur nevojë që të shkojë në bankë dhe të hapë një llogari duke paguar edhe komisione. Me Postën nuk i duhet të paguajë asnjë komision”, u shpreh Balluku.

Por ministrja shkoi më tej kur përmendi transportin me dron të pakove. “Ajo që është më e rëndësishmja, është fakti që ne planifikojmë duke nisur nga viti 2024, të kemi një projekt të ri që do të ngjajë pak futurist, ashtu siç u komentuan satelitët dhe bëhet fjalë për transportin me dron, i cili do të marrë nga qendrat e ndryshme postare, pakot postare për t’i transportuar ato në një vend tjetër”, deklaroi zonja Balluku.

“E gjitha kjo, do të na japë eficiencë në kohë, eficiencë financiare edhe ulje të emetimeve të karbonit, që është edhe kjo një nga synimet e Shqipërisë”.

/ rtsh.al /