RTSH 24 Live

Greqi

Rikthehen tensionet greko-turke! Athina zyrtare reagon ashpër ndaj deklaratave të Erdogan për Qipron

19/03/2024

Rikthehen tensionet greko-turke! Athina zyrtare reagon ashpër ndaj deklaratave të Erdogan për Qipron

Burime diplomatike greke kanë reaguar ndaj komenteve të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në lidhje me Qipron.

Në një fjalim që ai mbajti para personelit ushtarak turk në një darkë të hënën, Erdogan u shpreh se, nëse forcat turke do të kishin lëvizur më në jug në 1974, atëherë Qiproja mund të ishte e gjitha turke sot”.

“Deklaratat e presidentit turk në lidhje me pushtimin e paligjshëm të Qipros në vitin 1974 përbëjnë një shtrembërim flagrant të së vërtetës historike dhe një fyerje për kujtimin e viktimave”, thanë të martën burime diplomatike greke.

Shprehimisht Recep Tayyip Erdogan deklaroi: “Gjysmë shekulli më parë, turqit qipriotë u kthyen nga pragu i një gjenocidi. Në operacionin paqeruajtës të vitit 1974 ranë martirë 498 ushtarë tanë nga të gjitha zonat e vendit, oficerë, nënoficerë dhe civilë. Me gjithë presionet, nëse nuk do të ishte ndërhyrja e Turqisë, sot nuk do të ekzistonin as Republika Turke e Qipros Veriore dhe as turqit qipriotë. Në fakt, ndoshta nëse do të kishim bërë presion drejt jugut, nuk do të kishte më Jug dhe Veri dhe Qiproja do të ishte plotësisht e jona”.

“Deklaratat e presidentit turk për pushtimin e paligjshëm të Qipros në vitin 1974 përbëjnë një shtrembërim të dukshëm të së vërtetës historike dhe një fyerje për kujtimin e viktimave”, nënvizojnë burime diplomatike greke. ”Aq më tepër kur deklaratat bëhen në një kohë kur ka një përpjekje të vazhdueshme nën kujdesin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të rifilluar bisedimet për zgjidhjen e çështjes qiiprote në kuadër të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së” -shprehen burimet e Ministrisë së Jashtme në Athinë.

 

/rtsh.al/