RTSH 24 Live

Aktualitet

Rijetëzimi i industrisë ushtarake, Vengu takime me ambasadorët e Francës, Britanisë dhe Bullgarisë

2 orë para

Rijetëzimi i industrisë ushtarake, Vengu takime me ambasadorët e Francës, Britanisë dhe Bullgarisë

Rijetëzimi i industrisë ushtarake dhe modernizimi i Forcave tona të Armatosura ishin temat kryesore të bisedave gjatë takimeve të veçanta që ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi me ambasadorët e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bullgarisë.

Në takimin me ambasadorin e Francës, ai shprehu interesin për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në rijetëzimin e industrisë ushtarake, modernizimit, si dhe zgjerimin e mundësive në fushën e edukimit dhe trajnimit.

Vengu, sipas njoftimit për shtyp, e informoi ambasadorin britanik për zhvillimet e fundit në fushën e industrisë së mbrojtjes si dhe proceset e modernizimit.

“Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe shqetësimi për ndërhyrjen dhe aktivitetet hibride nga aktorët e huaj në rajon ishte një tjetër temë e bisedës, ndërkohë që vlerësuam maksimalisht stërvitjet ushtarake të përbashkëta “Corridor VIII Response” që po zhvillohen në territorin shqiptar në interes të rritjes së ndër veprueshmërisë, lëvizshmërisë ushtarake dhe linjave të furnizimit në rajonin e Evropës Juglindore”, bëri të ditur Vengu nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Ambasadori bullgar, informon ministri, vlerësoi kontributin e trupave shqiptarë në grupbatalionin e NATO-s në Novo Selo, ndërkohë që ramë dakord të vijojmë ndërveprimin e përbashkët në mbështetje të promovimit të Korridorit VIII si një nyje e rëndësishme lidhjeje sigurie mes Adriatikut dhe Detit të Zi.

/rtsh.al/