RTSH 24 Live

Politikë

Deputetja e PD, Zhupa: PS qëndron pas dorëheqjes së gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska

3 orë para

Deputetja e PD, Zhupa: PS qëndron pas dorëheqjes së gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska

Deputetja e PD, Ina Zhupa, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, akuzoi indirekt shumicën në pushtet se qëndron pas dorëheqjes së anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska. Sipas saj, "gjykata ka vetëm dy rrugë: ose të marr vendime pro shumicës dhe ti njihen, ose vendimet e marra jashtë vullnetit të shumicës që nuk do të zbatohen dhe nuk do njihen nga parlamenti."

 “Në këtë minim të drejtësisë vjen edhe lajmi i dorëheqjes së një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, që në çdo vend tjetër do ishte temë themelore e diskutimit mbi arsyet dhe motivet. Elsa Toskën s’e kam njohur dhe s’e kam takuar kurrë në jetë. Por kam qenë në sallën e Gjykatës Kushtetuese për të parë integritetin e saj në qëndrime dhe profesionalizmin e saj në vendimmarrje. Ndoshta këto kanë qenë arsyet që e kanë detyruar të jap dorëheqjen, ndoshta më shumë gjyqtarë vegla duhen sesa balanca e brishtë 5-4 e shumë vendimmarrjeve të fundit. Kjo mund të jetë nevoja e re e pushtetit.”, shkruan Zhupa.

Sipas saj, secili nga ne është i rrezikuar kur cenohet integriteti i vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, që në thelb garanton mos cenimin e të drejtave tona themelore kushtetuese, ndarjen dhe balancën e pushteteve dhe integritetin dhe sovranitetin e vendit.

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska ka dhënë dorëheqjen 2 ditë më parë. Me largimin e Toskën, Gjykata Kushtetuese mbetet me 8 anëtarë, nga 9 që ka në organikë. Kjo situatë pritet të komplikojë vendimmarrjet pasi, në rast të një vendimmarrje me 4 me 4 vota, Kushtetuesja s’mund të dalë me vendim. 

/rtsh.al/