RTSH 24 Live

Aktualitet

Apeli i Tiranës lë në qeli efektivin Erjon Goxhara

3 orë para

Apeli i Tiranës lë në qeli efektivin Erjon Goxhara

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në burg efektivin e policisë Erjon Goxhara, i cili akuzohet se plagosi pak javë më parë punonjësin e OSHEE-së, inxhinierin Lorenc Kosta.

Efektivi kishte bërë kërkesë në Apel për zbutjen e masës së sigurisë “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, por Apeli vendosi të mos pranojë kërkesën e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 gusht, në zonën e “Komunës së Parisit”, pranë kompleksit “Kika”. Arsyetimi i Goxharës se ka qenë në situatë gjaknxehtësie nuk e bindi gjykatën për një masë më të butë, në vendimin e dhënë më 17 shtator dhe të konfirmuar ditën e sotme.

Gjykata pasi dëgjoi palët, la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, për akuzën “vrasje e mbetur në tentativë”, që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.

/RTSH/