RTSH 24 Live

Aktualitet

Trafikonin drogë në Suedi e Danimarkë, SPAK përfundohen hetimet dhe çon për gjykim 5 anëtarët e grupit kriminal

3 orë para

Trafikonin drogë në Suedi e Danimarkë, SPAK përfundohen hetimet dhe çon për gjykim 5 anëtarët e grupit kriminal

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka njoftuar se ka përfunduar hetimet lidhur me një grup kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke çuar për gjykim 5 persona.  

SPAK ka dërguar për gjykim Klajdi Dervishin (alias Klajdi Pelinku, alias Bruno Pavoti), Arteid Musallarin, Eltion Danin, Nikolin Noku (alias Nikolin Martini, alias Nike/Nik Martini) dhe Zamir Hoxhën. Sipas SPAK, këta persona dyshohet se ishin pjesë e gruipit kriminal që drejtohej nga Jetmir Kastrati.

Nga hetimet rezulton se ky grup vepronte kryesisht në Danimarkë dhe Suedi, por po ashtu edhe në Holandë dhe Belgjikë dhe gjatë viteve 2018-2019 kanë shpërndarë kokainë dhe kanabis tek shtetas të ndryshëm të panjohur në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji.

Në kuadër të këtij grupi të strukturuar kriminal, në Danimarkë janë dënuar nga Gjykata e Kopenhagen anëtarët kryesorë të grupit të strukturuar kriminal, konkretisht: Sokol Krasnici (Jetmir Kastrati), Defrim Beck (Elbasani), Armando Docaj, Eri Pelinku, Ervin Pelinku, Nikardo Preka, Kejdi Beqiri, Fatjon Elbasani, Murat Lipovica, Hasan Murati, Shkëlzen Murati, Heyder Al Aëadi, Ali Hadi Ali Al-Hashimi, Kusai Hussain Ali Al-Hashimi, si dhe Ylber Troci.

Ndërkohë në Shqipëri rezulton se janë dënuar me burgim Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniçi), Astrit Beqiri dhe  Dhimitër Shkodrani për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, pika 1, gërmat “a”, “b” dhe “d”  e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

/rtsh.al/