RTSH 24 Live

Rajon

Reshjet në Greqi, Larisa në gatishmëri të lartë për shkak të përmbytjeve

09/09/2023

Reshjet në Greqi, Larisa në gatishmëri të lartë për shkak të përmbytjeve

Territoret e përmbytura nga stuhia “Daniel” në Greqi vijonë të zgjerohen, ndërsa numri i viktimave është rritur në 10. Autoritetet e mbrojtjes civile kanë njoftuar se 1,700 njerëz janë shpëtuar gjatë orëve të fundit.

Në disa zona ka rënë aq shumë shi sa asnjëherë tjetër që nga fillim i regjistrimeve të  reshjeve në vitin 1955. Larisa, qyteti më i madh i rajonit të Thesalisë, është në gatishmëri të lartë pasi niveli i lumit Pinios u rrit 10 metra në disa vende gjatë natës.

Shërbimi zjarrfikës ka njoftuar se niveli i ujit në Giannouli, Agios Thomas, dhe Ipokrati është rritur nga 2 në tre metra.  Shtëpitë janë rrënuar nga përrenjtë, urat janë shembur, rrugët janë bërë të pakalueshme, linjat e energjisë kanë ranë dhe të korrat në fushat pjellore të Thesalisë që përbëjnë 15 për qind të prodhimit vjetor bujqësor të Greqisë janë zhdukur.

Duke folur për transmetuesin shtetëror ERT, Guvernatori i Thesalisë, Kostas Agorastos tha se ai vlerësoi se stuhia ka shkaktuar rreth trefishin e dëmit prej 700 milionë eurosh të shkaktuar nga përmbytjet e mëdha në vitin 2020.

Teksa pa nga afër shkatërrimin në këtë rajon kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis u zotua se Qeveria e tij do të bëjë “gjithçka që ka të mundur” për të ndihmuar rajonet e goditura nga përmbytjet.

Ngjarjet ekstreme të motit kanë goditur anembanë globit javët e fundit, me përmbytje në Skandinavi, Evropën Juglindore dhe Hong Kong. Shkencëtarët thonë se Greqia është në vijën e parë të ndryshimeve klimatike, me incidente të çuditshme të motit gjithnjë e më të zakonshme.

Gazetar A.Mata

/RTSH/