I gjithë territori i qarkut Kukës është i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët dhe reshje bore në lartësinë mbi 600 m.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Agron Geca tha për ATSH-në se “si pasojë e këtyre kushteve të motit të gjitha akset nacionale rrugore vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe ngricave duke krijuar vështirësi në qarkullimin normal të mjeteve në disa segmente rrugore”.
Sipas tij, subjektet kontraktore kanë punuar gjatë gjithë kohës me të gjitha kapacitetet për mbajtjen funksionale të tyre.
“Aktualisht të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Nga bashkia Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente”, theksoi Geca.
Prefekti Geca informoi se “qarku i Kukësit furnizohet normalisht me energji elektrike, përveç njësisë administrative Llugaj bashkia Tropojë, fshati Vlahen, njësia administrative Golaj dhe fshatrat Pogaj e Kishaj të njësisë administrative Gjinaj, bashkia Has. Ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm është normal”.
/ rtsh.al /