RTSH 24 Live

Sociale

Rëndësia e vaksinës HPV, vit pas viti po shtohet interesi për aplikimin e saj

14/02/2025

Rëndësia e vaksinës HPV, vit pas viti po shtohet interesi për aplikimin e saj

Prej 2 vitesh në të gjithë vendin ka nisur aplikimi i vaksinës kundër kancerit të qafës së mitrës (HPV) tek vajzat. Në Kukës kjo vaksinë është parë me interes nga familjarët që duan të vaksinojnë vajzat e tyre të moshës 13-vjeçare.

Shefja e Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor, Denisa Duraku na tregon mbi rëndësinë e kësaj vaksine.

“Të gjithë drejtohen, marrin informacionin e duhur dhe e aplikojnë tek grupmoshat që është paracaktuar për këtë vaksinë. Në momentin që ka dyshime, jepen të gjitha informacionet dhe më pak bëhet ky aplikim“, theksoi Duraku.

Në fillim sipas Durakut, ka patur prindër hezitues mbi këtë vaksinë. Kjo ka ardhur si mungesë e informacioneve mbi vaksinën HPV.

Është normale që kur vjen një vaksinë e re ka mungesë informacioni, mund të ketë një farë skepticizmi, por pas kontaktit me specialistët, familjarët marrin informacionet e dukura dhe marrin vendimin për ta marrë këtë vaksinë“, shtoi ajo.

Si çdo vaksinë në kalendar e detyrueshme, edhe kjo do të duhet të injektohet në kohën e përcaktuar.

Gjatë vitit 2024 në Kukës janë vaksinuar vajza të moshës 13 vjeçare. Stafi mjekësor i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kukës zhvillon takime ndërgjegjësuese në shkollat 9 vjeçare të qytetit dhe fshatrave për të informuar mbi rëndësinë e aplikimit të vaksinës HPV .

Gazetare: I. Bajraktari  

/rtsh.al/