RTSH 24 Live

Ekonomi

Regjistri i llogarive bankare, ligji hyn në fuqi në fund të janarit, kush do ketë akses

13/01/2021

Regjistri i llogarive bankare, ligji hyn në fuqi në fund të janarit, kush do ketë akses

Ligji i ri për regjistrin e llogarive bankare është botuar të mërkurën në Fletoren Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi në fund të muajit janar. Ligji ka si qëllim krijimin për herë të parë të një regjistri qendror të llogarive bankare dhe kasetave të sigurisë në Republikën e Shqipërisë. Sipas ligjit, regjistri do të krijohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Informacioni i ruajtur në regjistër do të jetë konfidencial dhe i padisponueshëm për publikun e gjerë. Ligji përcakton se të dhënat e mbajtura në regjistër përbëjnë sekret bankar e profesional dhe duhen trajtuar e ruajtur si të tilla nga të gjitha autoritetet që kanë akses në to. Ato gjithashtu përjashtohen nga dispozitat e legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit. Regjistri elektronik në fjalë, megjithatë, nuk do të përmbajë të dhëna për gjendjen e llogarive, por do të funksionojë vetëm si listë e llogarive bankare që zotëron çdo person apo subjekt.

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave do të ketë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, ndërsa subjekteve të tjera të interesuara u garantohet e drejta e aksesit vetëm për ato të dhëna të regjistrit që janë të nevojshme për përmbushjen e detyrave të tyre funksionale. Në këto institucione përfshihen Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, drejtoritë e taksave dhe tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Niveli i aksesimit për institucionet e tjera do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave. Subjektet e tjera, si shërbimi përmbarimor gjyqësor shtetëror ose privat, institucionet financiare apo çdo autoritet publik tjetër, që legjislacioni i posaçëm i jep të drejtën për të pasur informacion në regjistër, nuk do të kenë akses direkt, por mund të marrin informacion vetëm duke paraqitur një kërkesë të argumentuar pranë Drejtorisë e Përgjithshme të Tatimeve.

Me ligjin e ri, bankat duhet të krijojnë dhe të administrojnë sisteme që sigurojnë raportimin e të dhënave në regjistër, në mënyrë elektronike, duke përdorur mekanizmin qendror të automatizuar. Ato janë përgjegjëse për saktësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara. Nëse ato zbulojnë se ndonjë prej të dhënave të raportuara është e pasaktë ose e paplotë, njoftojnë në jo më vonë se 72 orë, njësinë përgjegjëse për regjistrin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke marrë masa njëkohësisht për korrigjimin e të dhënave të pasakta ose të paplota dhe duke i raportuar ato sërish. Mbikëqyrja e zbatimit të detyrimit për raportim dhe e përputhshmërisë së të dhënave bankare të raportuara do të realizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.