RTSH 24 Live

Ekonomi

“Grupet e fermerëve subvencionohen 100%.” Flet për RTSH, Ermira Gjeçi, këshilltare në MBZHR

24/04/2024

“Grupet e fermerëve subvencionohen 100%.” Flet për RTSH, Ermira Gjeçi, këshilltare në MBZHR
Ermira Gjeçi, Këshilltare në Ministrinë e Bujqësisë

Nuk është e njëjta gjë të aplikosh në grup, apo individualisht për përfitim fondesh nga skema kombëtare e mbështetjes bujqësore. Autoritetet, në përfundim të fazës së parë të aplikimeve për këtë vit, kanë treguar ndryshimin.

Ermira Gjeçi, Këshilltare në Ministrinë e Bujqësisë tregoi për RTSH-në përfitimet e fermerëve kur bashkohen.  

Nëse fermerët bashkohen dhe numri i tyre është minimumi 7, ata do të trajtohen me 100 për qind të vlerës për të cilën aplikojnë. Kjo bën dhe diferencën me një fermer individual pasi ky i fundit ka pragjet, tavanet, pavarësish se ne sivjet për të rritur ose për të stimuluar rritjen e fermës bujqësore, vendosëm që fermerët do merrnin edhe mbi tavanët mbi 50 përqind të vlerës që ata përfitonin”, tha ajo.

Edhe pse ka një numër të konsiderueshëm aplikimesh në grup apo individuale, a do të përfitojnë të gjithë fermerët apo do të ketë ndryshime gjatë rrugës së verifikimit?      

Sivjet skema kombëtare ka gjithpërfshirjen që do të thotë se të gjithë fermerët do të marrin. Do fillojmë në mënyrë proporcionale, pastaj shtesat që presim gjatë gjysmës së dytë të vitit”, tha Gjeci.   

Qeveria ka vënë në dispozicion të skemës së mbështetjes financiare të bujqësisë rreth 3,4 miliardë lekë, por kjo nuk është shuma përfundimtare.

Pjesa e parë ka të bëjë me temat direkte ndërsa e dyta mendohet që të jetë në pjesën e investimeve”, shtoi ajo.

Qeveria e vlerëson si një produkt shumë të rëndësishëm mbështetjen e drejtpërdrejtë të shumë fermerëve. Vitin e kaluar u mundësuan 51 milionë dollarë investime të drejtpërdrejta në bizneset e më shumë se 65 mijë fermerëve.

Skema Kombëtare 2024 synon konsolidimin e sektorit nëpërmjet bashkimit të operatorëve që të rritet ekonomia e shkallës, por edhe cilësia e produktit, më synim jo vetëm tregjet elitare në eksporte, por edhe për të bërë presion gjithnjë e më të shtuar të konsumit të brendshëm.

Krahas skemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi janë në proces negocimi edhe skemat e Bashkimit Europian, Sipas Open Data, deri tani kanë përfituar nga këto skema 106 subjekte.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi 

/rtsh.al/