RTSH 24 Live

Botë

Referendum i ri për shkëputje nga Britania e Madhe, Gjykata e Lartë hedh poshtë kërkesën e qeverisë skoceze

23/11/2022

Referendum i ri për shkëputje nga Britania e Madhe, Gjykata e Lartë hedh poshtë kërkesën e qeverisë skoceze

Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar mori vendimin se Skocia nuk ka fuqi ligjore për të mbajtur një referendum të ri për pavarësinë, pa pëlqimin e qeverisë britanike. 

Vendimi përbën një pengesë, lidhur me fushatën e qeverisë skoceze, për t'u shkëputur nga Mbretëria e Bashkuar.

Ministrja e Parë skoceze, Nicola Sturgeon, tha se ajo do të respektonte vendimin, por do të vazhdonte luftën për pavarësi, duke thënë se "e drejta demokratike e Skocisë për të zgjedhur të ardhmen e saj" ishte në rrezik.

Gjykata e lartë vendosi se parlamenti skocez "nuk ka fuqi për të nxjerrë ligje për një referendum mbi pavarësinë skoceze".

Presidenti i Gjykatës së Lartë, Robert Reed, tha se pesë gjyqtarët ishin unanim në vendim. Mbështetësit e Pavarësisë planifikojnë të mblidhen jashtë Parlamentit Skocez në Edinburg, si dhe në vende të tjera.

Qeveria gjysmë-autonome skoceze dëshiron të mbajë një referendum tetorin e ardhshëm me pyetjen: "A duhet të jetë Skocia një vend i pavarur?"

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në Londër refuzon të miratojë votimin, duke thënë se çështja u zgjidh në referendumin e vitit 2014, ku votuesit skocezë refuzuan pavarësinë. Apnews

/rtsh.al/