Pjesëtari i Forcave të Armatosura të Malit të Zi, David Gorvokoviç, ka festuar 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë krahas ushtarëve shqiptarë, pjesëmarrës në një mision të NATO-s në Bullgari, duke e bërë simbolin e shqiponjës dykrenare.
Gazeta malazeze “Vijesti” në një shkrim ku flet se “pjesëtari i Ushtrisë së Malit të Zi bën ‘shqiponjën dykrenare’”, ka bërë publike edhe reagimin e ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviç, i cili ka folur edhe për dy ushtarët e arrestuar në Kosovë, për shkak të mbishkrimit irredentist “Kosova është Serbi” në targat e makinës.
Krapoviç ka konfirmuar se Gorvokoviç ka bërë shqiponjë, duke shtuar se do të mësohen detaje të tjera për ushtarin në fjalë.
Gjithashtu, ai ka shtuar se Gorvokoviç është nën juridiksionin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Malit të Zi.
Ndryshe, 28 nëntori është data më e rëndësishme në kalendarin e shqiptarëve, sikurse për ata që jetojnë në Shqipëri e Kosovë, ashtu edhe për ata në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi, të cilët e mbajnë gjallë krenarinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.
/rtsh.al/