RTSH 24 Live

Greqi

Metroja e qytetit zbulon mijëra sekrete antike

7 orë para

Metroja e qytetit zbulon mijëra sekrete antike

Sistemi i metrosë në qytetin verior grek të Selanikut u hap të shtunën e kaluar duke shfaqur trena pa shofer dhe dhjetëra mijëra njerëz u përballën me motin e keq dhe me shi për të pritur jashtë stacioneve për t’i provuar, shkruan CNN.

Linja e vetme e metrosë me 13 stacione ishte e bllokuar me pasagjerë ”të etur” për të shijuar sistemin e ri të transportit të qytetit.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, bashkë me presidenten Katerina Sakellaropoulou dhe ministrin e Transporteve, Christos Staikouras, shtypi një buton blu për të filluar funksionimin e sistemit të ri hekurudhor.

Mitsotakis tha se financimet e para për gërmimet eksploruese ishin pjesë e buxhetit të vitit 1976. Në vitin 1999, një pankartë në hyrje të panairit ndërkombëtar të qytetit shpalli se “metroja do të vijë së shpejti pranë jush”.

Vite betejash gjyqësore që panë kontrata të anuluara, mosmarrëveshje për pasuritë e paluajtshme dhe një luftë për vendosjen e një stacioni pranë zbulimeve të rëndësishme arkeologjike, e prishën projektin.

”Vonesat e shtynë koston e projektit në mbi tre miliardë euro”, tha Staikouras.

Pasagjerët që hyjnë në stacionin ”Eleftheros Venizelos”, në qendër të qytetit, mund të hedhin një vështrim në disa nga më shumë se 300 000 artefaktet e gërmuara nga arkeologët.

Thellë nën tokë, u gjetën mbetjet e rrugës më të ngarkuar të qytetit në shekullin VI.

”Kjo ishte një rrugë e ngarkuar me shumë dyqane”, thonë arkeologët.

Shumë kundërshtuan dhe protestuan me zë të lartë për heqjen e përkohshme të shumë prej gjetjeve në mënyrë që të përfundonte tuneli dhe të ndërtohej stacioni.

Antikitetet janë ekspozuar edhe jashtë një stacioni aty pranë, nën një xham mbrojtës.

Zyrtarët thanë se funksionimi i linjës do të nënkuptojë 57 000 makina më pak në ditë në këtë qytet të mbytur nga trafiku, me një pritshmëri prej 254 000 pasagjerësh që përdorin sistemin çdo ditë në qytetin me më shumë se 300 000 banorë dhe më shumë se një milion nëse përfshihen edhe periferitë.

Selaniku është zona e dytë më e madhe metropolitane në Greqi.

Sipas ATSH

/ rtsh.al /