RTSH 24 Live

Botë

Reagime për armëpushimin Izrael-Hezbollah

9 orë para

Reagime për armëpushimin Izrael-Hezbollah

Armëpushimin mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, i negociuar me iniciativën e SHBA-së dhe Francës dhe i hyrë në fuqi mëngjesin e së mërkurës, është mirëpritur nga faktorët ndërkombëtarë. 

-SHBA-

Presidenti amerikan Joe Biden tha se ”marrëveshja lejoi një fillim të ri për Libanin.

”Në ditët në vijim, SHBA do të udhëheqë sërish një përpjekje me Turqinë, Egjiptin, Katarin, Izraelin dhe vende të tjera për të arritur një armëpushim në Gaza, lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës pa Hamasin në pushtet”, tha Biden.

-Franca-

”Kjo marrëveshje duhet të hapë rrugën drejt një armëpushimi të shumëpritur përballë vuajtjeve të pakrahasueshme të popullsisë së Gazës”, vuri në dukje presidenti francez Emmanuel Macron.

”Kjo marrëveshje do ta mbrojë Izraelin nga kërcënimi i Hezbollahut dhe organizatave të tjera terroriste që veprojnë nga Libani. Ajo do të krijojë kushtet e nevojshme për rivendosjen e qëndrueshme të qetësisë dhe do të lejojë kthimin e sigurt në shtëpitë e tyre të banorëve në të dy anët e Linjës Blu”, thanë Biden dhe Macron.

-Izraeli-

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se kohëzgjatja e armëpushimit do të varet “nga ajo që ndodh në Liban”.

”Ne ruajmë lirinë e plotë të veprimit ushtarak në Liban. Nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen dhe përpiqet të riarmatoset, ne do të sulmojmë”, tha ai.

Presidenti izraelit Isaac Herzog tha se “vendimi i kabinetit izraelit të sigurisë për të miratuar armëpushimin është i saktë dhe i rëndësishëm, por duhet të jetë e qartë se shteti i Izraelit do t’i mbrojë qytetarët e tij në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo mënyrë”.

”Ne duhet të shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të bëjmë çdo përpjekje për të përmbushur detyrën tonë më të lartë morale dhe për të sjellë në shtëpi vëllezërit dhe motrat tona peng në Gaza, Ne duhet të veprojmë për këtë çështje me urgjencën më të madhe!”, theksoi ai.

-Libani-

Kryeministri libanez Najib Mikati tha se marrëveshja përbën një “hap themelor” drejt stabilitetit rajonal.

Duke falënderuar Parisin dhe Uashingtonin për përfshirjen e tyre, Mikati shtoi se qeveria e tij ishte e përkushtuar për të “forcuar praninë e ushtrisë në jug të vendit”, një bastion i lëvizjes islamike Hezbollah.

-Irani-

Teherani mirëpriti sot “ndalimin e agresionit izraelit” në Liban, ku Irani mbështet Hezbollahun financiarisht dhe ushtarakisht.

”Irani mbështet fuqishëm qeverinë, kombin dhe rezistencën libaneze”, tha në një deklaratë zëdhënësi diplomatik iranian Esmail Baghai.

-Turqia-

Ministria e Jashtme turke ”mirëpret rezultatin pozitiv të negociatave për një armëpushim në Liban dhe shpreson që ai të jetë i përhershëm”.

”Komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion mbi Izraelin që të respektojë rreptësisht armëpushimin dhe të kompensojë dëmin që ka shkaktuar në Liban”, shton ajo.

Ministria turke gjithashtu këmbëngul, ”për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, që një “armëpushim i përhershëm dhe gjithëpërfshirës të shpallet sa më shpejt që të jetë e mundur në Gaza”.

-Kina-

Pekini tha sot se “mirëpret” armëpushimin në Liban midis Izraelit dhe Hezbollahut.

“Ne mbështesim të gjitha përpjekjet për të lehtësuar tensionet dhe për të arritur paqen dhe mirëpresim marrëveshjen e armëpushimit të arritur nga palët përkatëse”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Mao Ning.

-Mbretëria e Bashkuar-

Armëpushimi “do të sjellë lehtësim për popullsinë civile të Libanit dhe Izraelit verior, të cilët kanë pësuar pasoja të paimagjinueshme në muajt e fundit të një konflikti shkatërrues”, tha kryeministri britanik Keir Starmer, duke besuar megjithatë se ai kishte “vonuar shumë”.

Armëpushimi “duhet të shndërrohet tani në një zgjidhje të qëndrueshme politike në Liban”, shtoi ai.

-Bashkimi Evropian-

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mirëpriti “lajme shumë inkurajuese, mbi të gjitha për popullin libanez dhe izraelit të prekur nga luftimet”.

”Libani do të ketë mundësinë të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e tij të brendshëm falë uljes së ndikimit të Hezbollahut”, tha ajo.

-OKB-

Armëpushimi i shpallur të martën midis Izraelit dhe Libanit do të kërkojë “punë të konsiderueshme” për të siguruar qëndrueshmërinë e tij, tha përfaqësuesja e OKB-së për Libanin, në një deklaratë për shtyp duke përshëndetur marrëveshjen.

“Kjo marrëveshje vendimtare shënon pikën fillestare të një procesi kritik” për të garantuar sigurinë e civilëve në të dy anët e Linjës Blu, tha Jeanine Hennis-Plasschaert.

Sipas ATSH


/ rtsh.al /