Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen për Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i cili iu përgjigj lutjeve të komunitetit mysliman shqiptar për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Namazgjasë në Tiranë.
Gjatë ceremonisë së përurimit të kësaj xhamie, Rama shprehu bindjen se ndërtimi i kësaj xhamie do të dëshmojë ndër breza lidhjen e pazgjidhshme mes dy popujve.
“Faleminderit dhe mirënjohje Presidentit të Republikës së Turqisë, miku im i gjithnjë mirëseardhur në Shqipëri, në këtë shtëpinë tonë të vogël ku ka banesa të shumta, për përkushtimin tënd vëllazëror për t’iu përgjigjur lutjeve të komunitetit mysliman shqiptar, duke u bërë zëri i thirrjes së tyre për komunitetin mysliman turk, i cili bujarisht dhe vëllazërisht i dha bashkësisë myslimane të shqiptarëve mjetet e nevojshme për ndërtimin e kësaj xhamie të madhe, e cila ndër breza do ta dëshmojë gjestin tuaj dhe do t’u flasë të gjithëve për lidhjen e pazgjidhshme mes dy popujve,” tha Rama.
Rama bëri të ditur po ashtu se Xhamia e Madhe e Namazgjasë do të drejtohet nga Kryemyftiu i Tiranës, Bilal Teqja.
“Qoftë e mbarë edhe këmba e Kryemyftiut të Tiranës, Bilal Teqja, i cili prej sot do të jetë kryekujdestari i këtij tempulli dhe u priftë e mbara në familjet e tyre të gjithë besimtarëve myslimanë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe na ndihmoftë drejt rrugës sonë pa kthim dhe pa asnjë ndalim drejt majës ku duam e do ta ngjisim patjetër flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, në një Shqipëri të denjë dhe të mirë për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine e ideje!” tha Rama.
/ rtsh.al /