RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Shqipëria dorëzon zyrtarisht në Asamblenë Parlamentare të KE rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, është famëkeq

13/08/2022

Rama: Shqipëria dorëzon zyrtarisht në Asamblenë Parlamentare të KE rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, është famëkeq

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se Shqipëria i ka dorëzuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Europës rezolutën "Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.

Rama thekson se raporti famëkeq i Dick Martyt nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi. Ai thotë se Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës së 2011-ës. Shqipëria, thekson Rama,   riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

"SHQIPËRIA i kërkoi zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës! Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi.

Kuvendi i Shqipërisë ka përcjellë zyrtarisht në Këshillin e Evropës, rezolutën "Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.

Rezoluta u është dërguar:

  1. Vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës;
  2. Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës;
  3. Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës;
  4. Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
  5. Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
  6. Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
  7. Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (folloë up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).

Shqipëria riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nisëm shprehje kuptimplotë të këtij vullneti", shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

/rtsh.al/