Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar të enjten pasdite një takim me punonjësit e bashkisë së Tiranës në Sheshin ‘Skënderbej’.
Që në fillim të fjalës së tij, ai ka kritikuar punonjësit e Bashkisë, që dolën dhe protestuan para SPAK, ditën kur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u la në masën e sigurisë ‘arrest me burg’.
“Që të jemi të qartë. Unë nuk mendoj shumë ndryshe nga ata që shkuan atje për sa i takon të ndërprerjes pa gjyq të kontratës së kryetarit të bashkisë me qytetarët e kryeqytetit. Gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush edhe shumë të prekur, të lënduar, që në ditën kur kryetari i Bashkisë u la në burg pa gjyq. Nuk dua t’i gjykoj keq, përkundrazi, i mirëkuptoj emocionet e tyre, por ishte një gabim që, sado i pafajshëm, nuk duhet të përsëritet më as nga ju, as nga askush që punon për shtetin shqiptar, në cilindo institucion”, tha Rama.
Sipas tij, secili nga punonjësit e bashkisë përfaqëson një skuadër të madhe, një institucion kyç të këtij vendi, një pushtet autonom që në asnjë mënyrë nuk duhet të shfaqet në asnjë territor të një tjetër pushteti të pavarur, sikurse është pushteti i drejtësisë.
“Me statusin e të dyshuarit, por ende jo me atë të pandehurit, e lërë më me atë të fajtorit, e bën situatën të papranueshme edhe logjikisht, dhe çka është e pa shpjegueshme për të gjithë ata çerek e ca milion qytetar që e kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë, që të ri në zyrë dhe jo të mbyllet brenda pa gjyq.”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare, gjatë fjalës së tij, theksoi se: "Ashtu sikurse ne e transformuam Tiranën nga një ferr mbi tokë në një qytet evropian, me një vizion dhe kurajo dhe me mundime shumë të mëdha, ashtu do transformojmë dhe drejtësinë në Shqipëri”.
“Ashtu sikurse shembëm ato ngrehina që kishin varrosur parqet plot ujëra të zeza, ashtu ne kemi shembur arkitekturën e vjetër të drejtësisë me Reformën në Drejtësi dhe me Vetingun. Kemi pastruar një pjesë të rëndësishme të sistemit të kalbur të drejtësisë që trashëguam nga ata që drejtuan Tiranën e 25 viteve më parë.”, theksoi Rama.
Sipas tij, ashtu, sikurse u kundërvunë me dhunën e injorancës së tyre dhe me llumin e kënetës ku kanë 30 e kusur vite që llokoçiten, ashtu edhe kur nisëm të ndërtonim hyrjen moderne të Zogut të Zi , dhe kur nisëm të ndërtonim Sheshin Skënderbej, ua vunë kazmën që të dyjave për ti zëvendësuar ato me shpifsirat e tyre anti-qytet, dhe po ashtu duan ti vënë kazmën edhe Reformës në Drejtësi, edhe SPAK, “edhe llogores sonë të luftës kundër korrupsionit”.
Rama: Kush punon shumë, gabon! Edhe organet e drejtësisë s’kanë si të jenë të pagabueshme
Më tej, gjatë takimit me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, kryeministri nënvizoi se edhe Perandoria e Romës nuk u ndërtua në 7 ditë, dhe po ashtu si dhe Tirana e re që mori vitet e saj për tu ndërtuar, po ashtu edhe drejtësia e re do të marr vitet e saj që të ndërtohet.
“Njësoj si ne, që të gjithë në detyrën tonë bëjmë gabime, dhe më shumë gabime bën ai që punon më shumë, se ai që nuk e di çfarë është puna, ashtu edhe organet e reja të drejtësisë nuk kanë se si mos të jenë të pagabueshme. Unë e di mirë që gabimet tona nuk shkatërrojnë jetë njerëzish, familje, sipërmarrje apo dhe interesa publike, sikurse ndodh kur gabon drejtësia”, theksoi kreu i qeverisë.
Sipas tij, të kërkosh nga një drejtësi e re me kaq pak vite pavarësi dhe me kaq pak kulturë evropiane, sikurse është kjo e jona, për më tepër në një klimë të hajvanizuar totalisht nga prokurorët televizivë, nga gjykatësit digjital dhe nga opozitarët kallajdal, që të mos gaboj, është njëlloj sikurse të hedhësh një fëmijë në uji dhe ti thuash mos u lag.
“Por nuk ka asnjë alternativë të ndarjes më historinë e 100 e kusur vjeçare të pandëshkushmërisë, pa marr përsipër edhe kostot politike, morale, njerëzore dhe të dëmeve koleratoral, të një përmbysje si kjo që ne kemi udhëhequr me Reformën në Drejtësi. Nëse duam që Shqipëria e nesërme të jetë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë, sikurse është Tirana sot, evropiane për të gjithë, atëherë duhet të shtrëngojmë dhëmbët, duhet të durojmë dhe duhet të vazhdojmë të luftojmë. Ndonjëherë këto dëme janë sa të dhimbshme aq edhe të padrejta, por kush udhëheq nuk duhet të lëkundet nga asnjë dhimbje në rrugën e drejtë të përmbushjes së vizionit për të cilën janë zgjedhur. Përndryshe asnjë nuk ndryshon ose më keq, degradon për më të keqen, sikurse u kalb Tirana. Në vitin 2000 unë hyra në Bashki dhe kishte vetëm 78 llamba neoni që ndizeshin ende akoma në rrugët e Tiranës. Përfytyrojeni ju më të rinjtë dhe ata që jetojnë sot ku e ku me atë që jetonin dje. 78 llamba neoni fiks, asnjë më shumë. Nga ndërprerjet e pafundme të energjisë elektrike, Tirana dukej natën si një varrezë-qytet. Nuk më takon mua që Lali Eri është i pafajshëm ose fajtor. Pavarësish se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që të qëndroj në opinionin tim dhe t’ia lë drejtësisë ta zgjidhë këtë. Barra juaj është që makineria e Bashkisë së Tiranës mos të fiket në asnjë minutë. Vëmendja ime për Tiranën, për bashkinë do të jetë e pandërprerë. Uroj dhe dua të besoj akoma te pafajësia e tij. Organet e drejtësisë do t’i japin kryebashkiakut të Tiranës një gjyq dinjitoz, duke i dhënë fund praktikës brutale pa gjyq për kryebashkikë ose punonjës shteti në detyrë, kur nuk janë arrestuar në flagrancë ose kur nuk kanë çfarë provash të prishin”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/