RTSH 24 Live

Politikë

Rama me peshkatarët në Durrës: Çmim tavan për naftën për këtë sektor, kush furnitor abuzon do dorëzojë depozitat

04/10/2022

Rama me peshkatarët në Durrës: Çmim tavan për naftën për këtë sektor, kush furnitor abuzon do dorëzojë depozitat

Rritja e çmimit të naftës ka prekur edhe sektorin e peshkimit, ku kryeministri Rama u premtoi se brenda javës do të vendoset një çmim tavan edhe për to. Rama madje kërcënoi edhe furnitorët se nëse abuzojnë mbi çmimin tavan duke nxjerrë përfitime nga djersa e peshkatarëve do t’u merren depozitat e naftës.

“Do vendoset një çmim unik tavan për të gjithë peshkatarët në të gjithë vijën e bregdetit i detyruar dhe askush nuk do të bëj dot asnjë qindarkë lëvizje nga ky çmim por do t’i shërbeje peshkatarëve pa asnjë lëvizje nga çmimi i detyruar tavan. Këtu nuk mund të ketë vend që të nxjerrin fitime nga djersa juaj duke bërë xhibla me furnizimin. Nuk do ta lejojmë të ketë një dallim mes një furnitori apo një tjetri. Të gjithë furnitorët e naftës për peshkimin do ta kenë çmimin njëlloj të vendosur nga Ministria e Bujqësisë dhe kjo do të behët brenda javës. Kush nuk e bën do të detyrohet që të dorëzojë depozita”, tha Rama.

Nga Durrësi, Rama foli edhe për zhvillimet e bëra në sektorin e peshkimit, teksa theksoi se vite më parë ka qenë i braktisur dhe i shkatërruar.

‘Ju binte më lirë të ngarkonit anijet me naftë në Itali dhe më pas të vinit të peshkonit. Rreth 90% ishit informal, kjo pasi nuk kishit asnjë shans që t’i mbijetonit formalizimit me atë braktisje totale. I gjithë volumi i punës së jashtë zakonshme përkthehej në diçka në midis 20-35 milionë euro eksporte. Ambicia është për të bërë shumë më tepër. Shqipëria është të shkojmë në 1 miliard euro eksporte”, tha Rama.

/rtsh.al/