Ka hapur dyert shkolla e re 9-vjeçare "Demokracia" në Valias, Kamëz, e cila është rindërtuar nëpërmjet Programit të Rindërtimit, financuar nga Qeveria.
Të pranishëm në inspektimin e kompleksit arsimor në Valiasin e ri ishin Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe Kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli.
“Kjo shkollë është një prej 38 objekteve arsimore që janë rindërtuar në Bashkinë Kamëz. Për vitin 2024-2025 hapim kantieret për 40 shkolla, palestra dhe terrene sportive, ndërkohë që përfundojmë projektet sa i përket rindërtimit, por edhe me mbështetje të partnerëve tanë, 100 objekte arsimore në gjithë vendin brenda 2024”, tha Ministrja Manastirliu.
Ky kompleks arsimor i shtrirë në 4,400 m2, përfshin përveç shkollës 9-vjeçare “Demokracia” edhe kopshtin dhe çerdhe që tashmë kanë hapur dyert për 700 nxënës, fëmijë, mësues dhe edukatorë.
Shkolla 9-vjeçare “Demokracia” është një investim i qeverisë shqiptare prej 380 milion lekë.
/rtsh.al/