RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Bashkimi Europian është i rëndësishëm për ekzistencën dhe sigurinë tonë

06/03/2025

Rama: Bashkimi Europian është i rëndësishëm për ekzistencën dhe sigurinë tonë

Kreu i qeverisë Edi Rama zhvilloi këtë pasdite një takim me skuadrën e të rinjve të Partisë Socialiste në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u ndal në detyrimet që qeveria shqiptare duhet të plotësojë brenda një kohe të shkurtër për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Kemi një mundësi historike në zgjedhjet e 11 maji, u shpreh Rama, e cila është krijuar nga një përputhje nga rrethanat tona të brendshme me vetë rrethanat e BE-së.

Ndaj, tha ai, mbështetja në këto zgjedhje nuk është vetëm për Partinë Socialiste, por për rrugën drejt BE.

Kemi një mundësi historike, e cila është krijuar nga një përputhje e shumëmirëseardhur e rrethanave tona të brendshme me rrethanat e jashtme të Europës dhe për herë të parë në memorien time dëshira jonë për të hyrë në Bashkimin Europian si anëtarë me të drejta të plota përkon me dëshirën e tyre për të na pranuar si të tillë. Kjo përputhje nuk ka qenë asnjëherë e tillë që nga rënia e komunizmit kur ata ishin më të hapur e ne ishin tërësisht të papërgatitur. Kur ne filluam të ishim më të përgatitur ata ishin më pak të hapur dhe faktikisht, procesi është marrë në njëfarë mënyre peng nga mospërputhja e këtyre të dyjave. Sot, të dyja këto janë të përputhura dhe mundësia është e artë për ne.

Por në të njëjtën kohë, vijon Rama, "afati është i kushtëzuar nga shfrytëzimi maksimal i kohës, sepse ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër dhe nëse do t’i referohemi eksperiencës dhe mësimit të historisë, ka më shumë gjasë që gjërat të kthehen siç ishin, pra, që ata të jenë më pak të interesuar po qe se ne nuk e shfrytëzojmë këtë mundësi dhe këtë hapësirë kohore relativisht të shkurtër prej pak vitesh."

Them të shkurtër prej pak vitesh, sepse pak vite në gjithë këtë histori janë vërtet një kohë e shkurtër, por edhe më shumë se kaq, pak vite janë jashtëzakonisht pak për sa shumë gjëra ne duhet të bëjmë në të njëjtën kohë.”

Më tej ai u shpreh se BE-ja është projekti më i jashtëzakonshëm.

Nuk e kam menduar, me thënë të drejtë, që do të vinte momenti që do duhej të thosha dhe këtë, sepse askush nuk e ka menduar, por sot në çfarë po shohim dhe me çfarë po ndodh, Bashkimi Europian është i rëndësishëm edhe për ekzistencën, për sigurinë, kështu siç po shkojnë gjërat dhe gjithë përpjekja që po bën sot Bashkimi Europian dhe që unë jam i bindur më herët se vonë do jetë përpjekje e gjithë kontinentit tonë, flas për të gjitha vendet demokratike që do të mblidhen në Tiranë në 16 maj, është një qasje komplet e re ndaj sigurisë, ndaj mbrojtjes dhe ndaj sensit të përbashkët të sigurisë.”

Ndaj vijon Rama në fjalën e tij duke thënë: “Kjo është diçka e re, por është diçka urgjente e kohës dhe këtu na duhet lidership, na duhet qëndrueshmëri, na duhet stabilitet i plotë në këtë marrëdhënie, na duhen të gjitha ato që ne i kemi ndërtuar me kaq mund dhe me kaq durim në këto vite dhe nuk ka ardhur akoma koha që raporti ynë me Bashkimin Europian të jetë i pavarur nga kush qeveris në Shqipëri.”

Kryeministri i tha të rinjve se synimi i vetëm është vendosja e flamurit shqiptar në tavolinën e BE-së dhe ecja para e jo pas te “Sudja e Xhaferri”.

Çdo lloj lëkundjeje dhe çdo lloj tangoje me Kujtim Gjuzin do krijonte një lëkundje të përgjithshme. Kujtim Gjuzi është lulja më e bukur në atë buqetë, lulja më e bukur, ma besoni. Ne në Europë ishim edhe kur erdhi Sudja me Rrapushin, ishim mu në mes të Europës kur Sudja dhe Rrapushi erdhën dhe morën në dorë financat e Shqipërisë me bekimin e Kujtimit Gjuzit. Ne në Europë ishim edhe kur kishim diktaturën. Kështu që, çdo parafytyrim i një lëkundjeje është katastrofik për vendin tonë dhe një mbështetje masive për Partinë Socialiste, për qeverinë tonë është, në fakt, më shumë se një mbështetje për ne, është një mbështetje masive për të mos humbur trenin e historisë dhe për të arritur në stacion. Që ne të hymë në Bashkimin Europian duhet të mbyllim negociatat. Në momentin që ne mbyllim negociatat, ne kemi kryer punë. Pastaj është koha e ratifikimit nëpër parlamentet e tjera, por kjo është një çështje tjetër, nuk është më një problem që mund të merret dhe të kthehet në një instrument për çdo lloj-lloj agjendash të lloj-lloj lojtarëve që janë jashtë vullnetit tonë,” tha Rama.  

/rtsh.al/