RTSH 24 Live

Politikë

8 Marsi, Spiropali: Të kujtojmë me respekt gratë që nuk i shpëtuan dot dhunës

08/03/2025

8 Marsi, Spiropali: Të kujtojmë me respekt gratë që nuk i shpëtuan dot dhunës

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka dërguar një mesazh për të gjithë gratë shqiptare me rastin e 8 Marsit. Spiropali shkruan se kujton me respekt të thellë ato gra që nuk shpëtuan dot nga dhuna dhe atyre që janë keqtrajtuar

Sot më 8 Mars, përveç urimit të natyrshëm e me gjithë zemër për të gjitha gratë dhe vajzat, dua të kujtoj me respekt të thellë ato që nuk shpëtuan dot nga dhuna, ato që shpëtuan por nuk u shëruan, vajzat që nuk u arsimuan sepse nuk i lejuan, ato që u shkelën dhe u shfrytëzuan, vajzat e martuara me detyrim, ato që përfliten sepse guxojnë, ato që kurrë nuk u lejuan ta shfaqin personalitetin, por edhe të gjitha ato gra dhe vajza që ia dolën duke sfiduar pengesat, ato gra të guximshme dhe inteligjente të potencialit të pakufishëm njerëzor që rri i fshehur tek vajzat e jashtëzakonshme shqiptare kudo ku janë, kudo ku vuajnë, kudo ku lodhen, kudo ku triumfojnë”, shkruan Spiropali.

Kryeparlamentarja shkruan më tej në mesazhin e saj se në historinë shqiptare gratë kanë qenë shembull i jashtëzakonshëm “i një feminizmi të fshehtë e pa bujë, por të denjë po aq sa ai i grave të këtij kontinenti, e botës ku përkasim”

De Beauvoir thoshte se gratë e kuptuan rolin e tyre kur burrat ikën në luftë. Modestisht do të thoja se gratë shqiptare e kishin kuptuar këtë gjë shumë herët sepse historia i detyroi burrat e tyre përherë të luftonin e emigronin. Në historinë tonë të mundimshme gratë kanë qenë shembull i jashtëzakonshëm i një feminizmi të fshehtë e pa bujë, por të denjë po aq sa ai i grave të këtij kontinenti, e botës ku përkasim. Shoqëria shqiptare mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj, dhe të ketë hapësirën e plotë për rolin e saj krejt unik në shoqëri.

Përveç ecjes kulturore që kërkon ky proces, jam e përkushtuar që në binarin politik e shtetëror, të punoj me krejt energjitë e mia në Kuvendin e Shqipërisë që ky mision të jetë i përmbushur”, thekson Spiropali.

/rtsh.al/