RTSH 24 Live

Aktualitet

Linda Rama në samitin e “Forbes”: Bota demokratike ka qenë dhe është me ne

18 orë para

Linda Rama në samitin e “Forbes”: Bota demokratike ka qenë dhe është me ne

Revista e famshme amerikane "Forbes" ka njoftuar nëpërmjet platformës së saj "X", pjesëmarrjen e Linda Ramës në samitin Forbes 2025, që po zhvillohet në Abu Dhabi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Bashkëshortja e kryeministrit shqiptar ishte e ftuar në cilësinë e ekonomistes dhe avokates për të drejtat e grave. Ajo theksoi se problemi më i madh që trashëgoi komunizmi nuk ishte varfëria, por traumat sociale.

Pas kaosit dhe pasigurisë të vitit 1991 nga rënia e sistemit, mësimet më të mëdha i nxorëm nga pësimet dhe të mësosh nga pësimet është e dhimbshme dhe e kushtueshme. Duhet t'i mësojmë fëmijët të vlerësojnë të drejtat dhe t’i mbrojnë ato,” tha znj. Rama, duke sjellë në vëmendje edhe sfidën e avancimit të të drejtave në kohën e revolucionit teknologjik e digjital.

Në bisedën me gazetaren Mika Brzezinski mbi temën “Fuqia pas Progresit”, ajo foli edhe për stadin zhvillimor që ka arritur Shqipëria vitet e fundit, me ndihmë edhe të partnerë perëndimorë.

Në tranzicionin tonë nuk kemi qenë vetëm. Bota demokratike ka qenë dhe është me ne. Shqiptarët dhe Shqipëria ia kanë dalë sot të ulen në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Jemi vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë. Vizitoni Shqipërinë. Nëse vini një herë, e dimë që do të na vizitoni përsëri,” tha znj. Rama.

Të ftuar në samitin Forbes30/50 ishin personalitete të politikes, artit, shoqërisë civile, biznesit nga rreth 50 vende të botës.

/rtsh.al/