Inspektoriati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Bashkinë Shkodër kanë nisur aksionin për pastrimin e hapësirës së liqenit të Shkodrës nga objektet e jashtëligjshme.
Aksioni konsiston në heqjen e pinarëve të cilët nuk kanë leje të posaçme për të qëndruar në ujërat e liqenit të Shkodrës.
Ky aksion do të vijojë për disa ditë, ndërkohë që sipas drejtorit të IKMT Emiljan Nika, aksioni përveç hapësirës në liqenin e Shkodrës do të vijojë edhe në ujërat e lumit Buna kryesisht pranë zonës së Dajlanit.
“Bazuar në kërkesat të shërbimeve të peshkimit dhe akuakulturës, IKMT ka filluar ndërhyrjen në të gjithë sipërfaqen e liqenit të Shkodrës. Aksioni do të vazhdojë për disa ditë. Aksioni ka nisur që nga viti i kaluar për të gjitha strukturat të vendosura në liqen dhe nuk janë të pajisura me lejen përkatëse", tha Nika.
Kjo ndërhyrje konsiderohet si një nga aksionet më masive që është zhvilluar në liqenin e Shkodrës përballë një abuzimi prej vitesh që është shtrirë në të gjithë hapësirën e kësaj pasurie në territorin e Shkodrës.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/