RTSH 24 Live

Sociale

Qeveria miraton fondin 240 mln për ndërmarrjet sociale, Manastirliu: Kusht punësimi i kategorive të disavantazhuara

24/03/2023

Qeveria miraton fondin 240 mln për ndërmarrjet sociale, Manastirliu: Kusht punësimi i kategorive të disavantazhuara

Qeveria ka miratuar këtë të premte (24 MARS) një sërë vendimesh, një prej të cilave lidhet me subvencionimin e ndërmarrjeve sociale për periudhën 2023-2025 për të papunët. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, tashmë shteti do subvecionojnë pagën minimale për kategoritë e disavantazhuara që janë pjesë e programit të mbrojtjes sociale për një periudhë 3-vjeçare dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për këta individë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se fondi prej 240 milionë lekësh për një periudhë 2-vjeçare, vjen si formë e rë për integrimin dhe punësimin e individëve të ndërmarrjeve sociale.

Sot qeveria ka miratuar një seri vendimesh. Në kuadër të politikave të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale për kategoritë në nevojë, zgjerimit të mekanizmave që mundësojnë mbështetjen sociale të grupeve të disavantazhuara dhe fuqizimin ekonomik të tyre nëpërmjet tregut të punës, miratuam një vendim, i cili vjen në zbatim të ligjit për ndërmarrjet sociale. Dhe po ashtu, përcakton format e subvencionit për ndërmarrjet sociale, për periudhën 2023-2025.

Vjen si vendim i dytë, me fondin e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale në vlerën 240 mln lekë për 2023-2025”, tha Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa bëri me dije më tej, se deri në 50% e të punësuarve në këto ndërmarrje, do jenë individë që janë pjesë e skemave të mbrojtjes sociale dhe të programit të daljes nga programi i ndihmës ekonomike.

“Format e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale përmes subvencionit do të bëhet e mundur pikërisht nga kategoritë e disavantazhuara që janë pjesë e programeve të mbrojtjes sociale, apo papunësisë, që të angazhohen në ndërmarrjet sociale, pra të punësohen, duke mundësuar që shtetit të subvencionoj pagën minimale për ta, për një periudhë 3 vjeçare dhe kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për këta individë.

Këto forma të mbështetjes, vijnë në kuadër të fuqizimit ekonomik të personave që janë në moshë aktive punë pjesë e programeve të ndihmës ekonomike, por do kenë mundësi të riintegrohen në tregun e punës”, tha ajo.

/rtsh.al/