RTSH 24 Live

Europë

Qeveria e Malit të Zi vendos sanksione ndaj Rusisë 

08/04/2022

Qeveria e Malit të Zi vendos sanksione ndaj Rusisë 

Pas disa shtyrjeve, Qeveria e Malit të Zi miratoi të premten sanksionet kundër Rusisë. Për shkak të mungesës zyrtare të kryeministrit Zdravko Krivokapiq, seancën e drejtoi zëvendëskryeministri i Dritan Abazoviq.  “Sapo është miratuar një paketë masash kufizuese kundër Rusisë! Faleminderit të gjithë ministrave për bashkëpunimin!”, tha Abazoviq përmes një postimi në Twitter. 

Pas vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, institucionet qeveritare
duhet të ngrijnë pronat dhe burimet ekonomike të disa shtetasve dhe kompanive
ruse në Mal të Zi dhe të ndalojnë punën e mediave qeveritare ruse. 

Po ashtu Podgorica zyrtare ka mbyllur edhe hapsirën ajrore për avionët ruse. Menjëherë pas marrjes së vendimit, ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke përgëzoi zëvendëskryeministrin Abazovic. “Bravo! E rëndësishme të shohësh që vendi aleat, Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian, të cilat janë të krijuara për të zvogëluar aftësitë e Rusisë që të financojë luftën e saj jonjerëzore dhe të paprovokuar ndaj popullsisë së Ukrainës". 

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë vazhdimisht thirrje Malit të Zi që të zyrtarizojë sanksionet kundër Rusisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi njoftoi më të enjten se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mori garanci nga kryeministri Krivokapiq se Mali i Zi do të miratonte sanksione. Më 7 mars, Qeveria e Rusisë e përfshiu Malin e Zi në listën e vendeve të huaja që “kryen veprime armiqësore kundër Rusisë, personave juridikë dhe fizikë rusë”.