Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka reaguar një ditë pas zgjedhjes si president të SHBA-ve, Donald Trump. Putin ka dënuar përpjekjet sipas tij, për t'i shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë në Ukrainë. Ai tha se po bëhet luftë për të formuar një rend të ri botëror në kohën e dominuar nga perëndimi pas Luftës së Ftohtë.
“Ne kemi ardhur në një vijë të rrezikshme. Thirrjet e Perëndimit për t'i shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë, një vend me arsenalin më të madh të armëve bërthamore, demonstron aventurizmin e tepruar të politikanëve perëndimorë” tha Putin.
Sipas Putinit, Perëndimi kishte kërkuar me arrogancë ta konsideronte Rusinë si një fuqi të mundur pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, ndërsa e përshkroi aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA si anakronizëm.
Ai vuri në dukje se Rusia nuk e konsideronte qytetërimin perëndimor si armik, pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për të izoluar Moskën.
“Bota po ndryshonte në çdo rast dhe shumë vende të fuqishme nuk donin të izolonin Rusinë. Struktura e mëparshme e botës po zhduket në mënyrë të pakthyeshme, mund të themi se tashmë ka perënduar dhe një luftë serioze, e papajtueshme po shpaloset për formimin e një rendi të ri. Bota ka nevojë për Rusinë dhe asnjë vendim nga eprorët e supozuar në Uashington apo Bruksel nuk mund ta ndryshojë këtë”, u shpreh Putin.
/rtsh.al/