Presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. Këtë e bën të ditur Reuters, ku thekson burime se “Putin përjashton bërjen e ndonjë lëshimi të madh territorial dhe këmbëngul që Kievi të braktisë ambiciet për t'u bashkuar me NATO-n”.
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Trump, i cili është zotuar se do t'i japë fund konfliktit me shpejtësi, po kthehet në Shtëpinë e Bardhë në një kohë kur forcat ruse kanë fituar epërsi ndaj Ukrainës.
“Presidenti Putin do të pranonte në çdo marrëveshje të ndërmjetësuar nga Trump, pesë zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët rusë thanë se Kremlini mund të pajtohej gjerësisht për të ngrirë konfliktin përgjatë vijës së frontit. Mund të ketë vend për negociata mbi ndarjen e saktë të katër rajoneve lindore të Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, sipas burimve”, shkruan Reuters.
Ndërsa Moska pretendon se katër rajonet janë tërësisht pjesë e Rusisë, të mbrojtura nga ombrella bërthamore e vendit, forcat e saj në terren kontrollojnë 70-80% të territorit. Megjithatë sipas burimeve, Rusia gjithashtu mund të jetë e hapur për t'u tërhequr nga pjesët relativisht të vogla të territorit që mban në rajonet Kharkiv dhe Mykolaiv, në veri dhe jug të Ukrainës.
Vendimi i presidentit amerikan në largim, Joe Biden për të lejuar Ukrainën të sulmojë Rusinë me armët amerikane, sipas burimeve mund të ndërlikojë armëpushimin dhe të ngurtësojë kërkesat e Moskës.
/rtsh.al/