RTSH 24 Live

Botë

Frikë për sulm ajror rus në Ukrainë, mbyllen për arsye sigurie ambasadat greke, spanjolle dhe italiane

14 orë para

Frikë për sulm ajror rus në Ukrainë, mbyllen për arsye sigurie ambasadat greke, spanjolle dhe italiane

Qeveria ukrainase akuzoi Rusinë për shpërndarje të mesazheve të rreme ndaj një sulmi madhor ndaj kryeqytetit Kiev dhe disa qyteteve të tjera të vendit. Rusia po ndërmerr një sulm psikologjik informacionesh të rreme ndaj Ukrainës, u shpreh agjencia e inteligjencës ushtarake të vendit, pasi ambasada amerikane, ajo spanjolle, greke, dhe italiane në vendin në luftë me Rusinë u mbyllën përkohësisht pasi SHBA bëri me dije se kishte marrë me informacion specifik për një sulm ajror që mund të ndodhte këtë të mërkurë. 

Por ministria e jashtme ukrainase iu kërkoi aleatëve perëndimorë të mos nxisnin tensione në vend, ndërsa theksoi se kërcënimet për sulme fatkeqësisht ishin një realitet i përditshëm në vend. Ngjarjet e fundit vijnë pasi Ukraina përdori raketa me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në SHBA për të goditur një objekt ushtarak në territor rus pasi mori autorizimin e presidentit amerikan, Jo Biden për përdorimin e këtyre raketave ndaj territorit të federatës ruse dhe pasi Biden ra dakord që në Ukrainë të dërgojnë mina tokësore anti-personel për ti përdorur në zmbrapsjen e avancimit rus.

Të martën, presidenti rus Vladimir Putin miratoi ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë të cilat parashikojnë se çdo akt agresioni që ndërmerret ndaj Rusisë nga një shtet jo bërthamor që mbështetet nga një fuqi bërthamore do të konsiderohet sulm që ndërmerret nga të dy këto shtete dhe ku theksohet se Kremlini mund të përdorë armë bërthamore në rast të një kërcënimi të sovranitetit dhe integritetit të Rusisë dhe aleates Bjellorusisë dhe se lëshimi i raketave balistike ndaj Rusisë do të shihej si një nga kushtet që mund të shkaktojë një kundërpërgjigje bërthamore.

/RTSH/