Mazhoranca ka miratuar vetëm me votat e saj, ngritjen e Komisionit të posaçëm për Dezinformim. Ky votim u refuzua nga ana e opozitës, sipas së cilës mazhoranca po tenton të largojë vëmendjen nga aferat me ngritjen e këtij komisioni.
Po ashtu, deputetët opozitarë kërkuan më shumë kohë në mënyrë që mazhoranca të qartësonte nismën.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, ka folur në mbledhje e Konferencës së Kryetarëve për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.
"Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë cdo iniciative te mazhorancës. Por nuk është ky rasti. Për shkak të zhvillimeve nëpër botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara.
Dezinformimi është një nga instrumentat që po përdoret gjerësisht për të cënuar vlerat demokratike. Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE pati një rezolutë dhe një komision të posacëm për këtë punë. Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë. Ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme.
Do të bëjë një analizë të plotë të situatës. Mendoj se nese ky Parlament do të ketë një komision ku ne duhet të jemi në sinkron, është ky komision ku duhet të japim një analizë të detajuar se në cilin nivel ka shkuar ndërhyrja e këtyre vendeve. S'mund të jemi ne imunë kur nuk është SHBA apo vendet e BE. Eshte ne nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni", deklaroi Çuçi.
Deputetja demokrate Flutura Açka në një prononcim për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryetarëve hodhi dyshimet se Komisioni i posaçëm për Dezinformim, mund të përdoret nga mazhoranca për të ndryshuar kushtetutën me qëllim, sikurse tha ajo, grabitjen e zgjedhjeve.
“U vendos siç ishte dhe vendimi i nxituar për komisionin e posaçëm për dezinformimin. Nuk jam kundër këtij komisioni, por parashtrova arsyet e mia se përse më duket i nxituar.
nuk është argumentuar mjaftueshëm që të jetë bindës për të kaluar në konferencën e kryetarëve. Kam hije dyshimi se do jetë arsye për të kontrolluar median shqiptare dhe për të lënë pas dore punën e disa institucioneve të tjera që mbulojnë këto fusha, për të kontrolluar AMA-n e cila e ka bërë në mënyrë të vazhdueshme këtë vetërregullim.
Me ndryshime e fundit që kemi sjellë në nëntorin e vitit të kaluar ne kemi sjellë ndryshimet në ligjin e AMA që rregulloj në këto çështje për të cilat ky komision do mblidhet.
Kërkuam që të ishte dhe një bashkëkryetar që opozita të ketë mundësi të ketë kontroll mbi veprimtarinë e këtij komisioni.
Është ngritur dyshimi se objekti i këtij komisioni do keqpërdoret dhe për të kontrolluar, se jemi në vit zgjedhor, mund të përdoret për të ndryshuar Kushtetutën në funksion të grabitjeve të zgjedhjeve”, tha Açka.
Në thelb të Komisionit të posaçëm për Dezinformim është identifikimi i influencave të huaj që ndikojnë në demokracinë e vendit përmes mediumeve të ndryshme që janë mediat tradicionale dhe rrjetet sociale.
/rtsh.al/