RTSH 24 Live

Politikë

PS kërkesë Nikollës: Komision për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike në Shqipëri

28/03/2024

PS kërkesë Nikollës: Komision për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike në Shqipëri

Kuvendi pritet të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili do të ketë në qendër të punës së tij koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, i cili, nëpërmjet një shkrese, i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku i kërkon ngritjen e këtij Komisioni.

Sipas Çuçit, duke u bazuar në angazhimet e Shqipërisë që rrjedhin nga Memorandumi i Mirëkuptimit i datës 15 shkurt 2024 ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së për të adresuar manipulimin e informacionit nga aktorët e shteteve të huaja; nga deklarata e Tiranës e 28 shkurtit 2024 e Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore si dhe rekomandimet e BE-së për “vazhdimin e përpjekjeve për mbylljen e hapësirës për ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit”, është i nevojshëm ngritja e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar.

“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste vendosi t'i paraqesë një kërkesë Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.”, thuhet në kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PS-së.

Komisioni i Posaçëm, sipas kërkesës së Çuçit,  do të zbatojë një qasje të gjithanshme dhe afatgjatë për adresimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike, që mund të përfshijnë:

  1. Fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik;
  2. Mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet për dezinformim, shantazhimin ekonomik të aktorëve publikë dhe manipulimin e shoqërisë civile.

Rama: Shumë e rëndësishme për të ecur përpara me shpejtësi të plotë

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit, Edi Rama, lidhur me kërkesën e grupit parlamentar të PS-së drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili do të ketë në qendër të punës së tij koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se ky hap është “shumë i rëndësishëm”.

“Shumë e rëndësishme për të ecur përpara me shpejtësi të plotë”, shkruan Rama.

/rtsh.al/