RTSH 24 Live

Aktualitet

Sot ndeshja Tirana –Partizani në “Air Albania”, rrugët që do të bllokohen

28/04/2024

Sot ndeshja Tirana –Partizani në “Air Albania”, rrugët që do të bllokohen

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve “KF Tirana” dhe “Partizani”, e cila do të zhvillohet sot (28 prill) në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara, për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave.  

Në orën 14:00 do të bëhet spostimi i automjeteve përreth stadiumit, ndërsa bllokomi i rrugëve do të bëhet në orën 17:00.

Sipas policisë, segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:  Rruga “Lek Dukagjini”, “Dervish Hima”,  “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te stadiumi “Air Albania”, si dhe bulevardi  "Dëshmorët e Kombit", nga Presidenca deri te sheshi "Nënë Tereza".

Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit .

Po në zbatim të planit të masave,  policia njofton se do të ushtrohen kontrolle rigoroze ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. 

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara.

/rtsh.al/