RTSH 24 Live

Aktualitet

Prokuroria e Durrësit publikon masat në lidhje me urdhrin e sekuestros së kontejnerëve

01/11/2024

Prokuroria e Durrësit publikon masat në lidhje me urdhrin e sekuestros së kontejnerëve
Durrës, anija me kontenierë në Radë

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, nisur nga interesi publik në lidhje me procedimin penal dhe ekzekutimin e sekuestros të kontejnerëve, bëri me dije të premten (1 nëntor) se institucionet janë në fazën e ekzekutimit të urdhrit.

102 kontejnerë qëndrojnë të bllokuar në anijen turke "Moliva" që prej datës 28 tetor. Anija me të cilën po transportoheshin u kthye në Shqipëri nga vendi ku duheshin shkarkuar, pasi dyshohet se përmbajnë mbetje toksike.

Sipas njoftimit për shtyp, institucionet kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë, në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre.

“Deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti  i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontejnerët objekt sekuestrimi”, thuhet në njoftim.  

/rtsh.al/