RTSH 24 Live

Aktualitet

Projektligji, policët e burgjeve do të marrin kredi për strehim me kushte lehtësuese, si funksionon skema

11/03/2023

Projektligji, policët e burgjeve do të marrin kredi për strehim me kushte lehtësuese, si funksionon skema

Nga Armando META

Policët e Burgjeve do të kenë të drejtë të përfitojnë kredi me kushte lehtësuese. Një projektligj i hartuar nga qeveria ndez dritën e gjelbër për të gjithë ata punonjës të burgjeve, të cilët kanë vështërësi në strehim, që të përfitojnë nga skema e re që po përgatit ministria e Drejtësisë, për t‘u mundësuar atyre që të përfitojnë kredi për strehim me kushte lehtësuese.

Si funksionon skema për të marrë kredi për strehim me kushte lehtësuese

Në vija të përgjithshme masa e subvencionimit të interesave të kredisë për ata që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti për banesat me kosto të ulët, do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, me interesin në varësi të aftësisë përballuese të familjes, me kusht që interesi dhe principali që paguan familja të mos jenë më të mëdha së aftësia e familjes për të përballuar.

Llogaritja e masës së subvencionimit të kredisë hipotekore me kushte lehtësuese bëhet në momentin e lidhjes së kontratës për marrjen e kredisë midis individit/familjes përfituese dhe institucionit financiar, mbështetur në marrëveshjen e nënshkruar midis institucionit financiar dhe ministrisë përgjegjëse për strehimin, në rastin konkret të ministrisë së Drejtësisë.

Procedurat

Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët me kredi fillon me përzgjedhjen e institucionit financiar që do të kreditojë familjet. Përzgjedhja e institucionit financiar që do të kreditojë familjet bëhet me procedurë konkurrimi, si vijon:

  1. nëpërmjet një oferte publike dhe transparente ftohen të gjitha institucionet financiare që kryejnë shërbime për dhënien e kredive në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  2. oferta publike shoqërohet edhe me kriteret për vlerësimin e ofertës fituese;
  3. vlerësimi i ofertave duhet të marrë parasysh kostot më të ulta për buxhetin dhe kostot më të përballueshme për familjet.

Përzgjedhja

Përzgjedhja e institucionit financiar me ofertën fituese bëhet nga një komision vlerësimi që ngrihet me urdhër të titullarit të institucionit që financon programin me përfaqësues të ministrisë përgegjëse për fushën e financave dhe institucionit që financon programin.

Kur programi financohet nga buxheti i shtetit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda kuotave të përcaktuara paraprakisht nga ministria (numrit të familjeve që përfitojnë), miratojnë listën e familjeve sipas sistemit të pikëzimit të miratuar prej tyre dhe që plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  1. kanë të ardhura mujore jo më të larta se të ardhurat mesatare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse dhe nuk përballojnë dot pagesat e kredisë për blerjen e një banese me vlerë jo më të madhe se mesatarja e vlerave të tregut në atë njësi të vetëqeverisjes vendore dhe me sipërfaqe jo më të madhe se normat e strehimit dhe nuk disponojnë banesë në pronësi, ose disponojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, ose janë zhvendosur nga banesat.

Subvencionimi

Për çdo individ/familje, institucioni financiar llogarit shumën e subvencionimit të kredisë për të gjithë jetëgjatësinë e kontratës, e cila i njoftohet ministrisë përgjegjëse për strehimin. Kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100% e vlerës së banesës së blerë. Diferenca që rezulton midis vlerës së banesës dhe shumës që krediton institucioni financiar, paguhet në mënyrë të menjëhershme nga familja.

Masa e ndihmës për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti planifikohet në buxhetin vjetor dhe afatmesëm të institucionit që financon programin, bazuar në informacionin që dërgon institucioni financiar mbi, ndër të tjera, numrin e përfituesve dhe sasinë e subvencionimit të shpenzuar dhe atë të nevojshëm për vitin pasardhës. 

Familja, që ka përfituar banesë me kosto të ulët, nuk mund t’i kalojë të drejtat që ajo ka mbi këtë banesë te një individ tjetër ose ta lëshojë atë me qira gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë.

/rtsh.al/