Tani që Shqipëria ka hyrë në një skemë globale turizmi, algoritmi ekonomik pritet të vërë në lëvizje një spektër në zgjerim të faktorëve rreth tij.
"Është një moment shumë strategjik, sepse turizmi po luan rolin e lidhjes midis ekonomisë shqiptare dhe ekonomisë globale," thotë eksperti i ekonomisë, Gavril Lasku.
Ekspertët pranë ekzekutivit vlerësojnë se faktorët më ndikues lidhen si me shifrat e vitit të kaluar, ashtu edhe me marrëveshjet e nënshkruara.
"Xhiroja totale e turizmit, rreth 4,5 miliardë dollarë dhe një numër turistësh rreth 12 milionë në vitin 2024, që është një rritje shumë e madhe në krahasim me vitet e mëparshme. Në janar të 2025-ës është një marrëveshje ndërkombëtare e lidhur midis Italisë, Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, projekt shumë i rëndësishëm që e vendos Shqipërinë në rolin e një qendre rajonale për eksportin e energjisë së pastër në Sazan nëpërmjet kompanisë 'Atlantic Incubation' të Jared Kushner, me një vlerë 1,4 miliard dollarë për ngritjen e një rezorti luksoz, që përsëri e pozicionon Shqipërinë në elitën më të lartë të turizmit ndërkombëtar," tregon z. Lasku.
Përkundër vendesh me traditë të stabilizuar, si Greqia, Kroacia, Italia, Shqipëria do të duhet të programojë paralelisht dhe industritë mbështetëse të turizmit.
"Ndikojnë të gjithë sektorët që prodhojnë produkte të lidhura me turizmin, siç është bujqësia, agrobiznesi, industria ushqimore, industria tekstile. Në Kavajë kemi 500 hotele. Nëse këto hotele do të blinin nga fermerët vendas, nëpërmjet një programi incentivues të qeverisë, dhe jo nga importi, kjo do të ndikonte në rritjen e agribujqësisë në rajonin e Kavajës. Pra, kërkohet një program incentivues që hotelet shqiptare të blejnë gjithnjë e më shumë produkte vendase," thekson eksperti.
Edhe më organik, sipas ekspertëve, duhet të vijë vetë orientimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme, zgjedhja e profesioneve e shkollimit për aktivitete ku fitimi ose punësimi duket i sigurt.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/