Duke folur në forumin 2BS në Budva të Malit të Zi, i dërguari evropian Mirislav Lajçak tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse, sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian. Ai kujtoi se dy vendet arritën në fillim të vitit të kaluar Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, duke theksuar se pas18 muajsh ende nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.
“Ne shohim përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit, por për fat të keq, është bërë në atë mënyrë që nxit kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare dhe zhgënjim nga komuniteti vendas. Prandaj edhe kemi më shumë tensione”, u shpreh dërguari evropian Mirislav Lajçak.
Lajçak iu referua veprimeve të autoriteteve kosovare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
"Unë shtroj pyetjen: cila është alternativa për këtë konfrontim e tension? Kujt i sjell dobi? Sigurisht që jo qytetarëve, as Kosovës, Serbisë e rajonit. Pra, ne e dimë se çfarë duhet bërë, dhe tani pyetja është: pse të mos e bëjmë këtë?”, tha ai.
Lidhur me sulmin e armatosur kundër Policisë së Kosovës vitin e kaluar në Banjskë, I dërguari evropian tha se kishte ndikim shumë të dëmshëm në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
"BE-ja ishte shumë e qartë: ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe ne e dimë se cilët janë këta njerëz, disa prej tyre pranuan përgjegjësinë dhe është për të ardhur keqqë ne nuk e shohim atë përgjegjësi. BE-ja do të vazhdojë të ngulë këmbë në përgjegjësi, sepse rastet si Banjska nuk duhet të kalojnë pa ndëshkim për përgjegjësit”, u shpreh Lajcak.
Pyetjes nëse ai pret përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi mandati i tij si përfaqëues i Posaçëm u zgjat deri në janar të vitit 2025, Lajçak iu pëgjigj:
“Në Kosovë po vijnë zgjedhjet dhe nga përvoja politike e di se rrallë mund të priten ndryshime të mëdha para zgjedhjeve, por ne po përgatisim terrenin për përparim të shpejtë menjëherë pas tyre.”
Ndërsa lidhur me Bosnjen, Lajçak u shpreh se pas marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian dhe ftesës për nisjen e negociatave për anëtarësim, duhet angazhim konktret nga ana e atij vendi.
/RTSH/