Nata e tretë e Festivalit 62 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar u shoqërua nga një moment mjaft interesant teksa shënoi ora 12 e mesnatës kur prezantuesit Kledi Kadiu dhe Adriana Matoshi bënë të ditur se prezantuesja e tretë Krisa Caushi kishte datëlindjen, të cilët bashkë me publikun e kanë uruar në kor.
Ndërkaq, “Nata e Nostalgjisë” dhuroi emocione të shumta teksa u rikthyen në skenë disa prej këngëtarëve më të njohur shqiptarë që kanë bërë historinë në muzikën shqiptare, si Irma Libohova, Adelina Ismajli, Elton Deda, Fitnete Tuda etj.
Gjithashtu, midis tyre ishin edhe Mefarete Laze, Eugent Bushpepa, Sidrit Bejleri, Eneda Tarifa, Ilir Shaqiri, Elton Deda, Edmond Mancaku, Jehona Sopi.
Ata kënduan me disa prej zërave pjesëmarrës në Fest 62. Por, përveç risjelljes në skenë të disa prej këngëve që kanë hyrë në fondin e artë të muzikës shqiptare, artistët pjesëmarrës në Fest 62 kanë sjellë shumë prej këngëve hit në Eurosong që kanë bërë historinë e muzikës evropiane dhe atë botërore.
Disa prej këngëve që janë interpretuar në duete midis artistëve pjesëmarrës në festival ishin: “Insieme”, “Arcade”, “Volare”, Satellite”, “Lordi- Hard Rock Hallelujah”, “Farytale”, “Zitti e buoni” etj.
Të gjitha këngët janë kënduar live dhe në shoqërinë e Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, drejtuar nga disa emra mjaft të njohur në fushën e dirigjimit, orkestrionit dhe të kompozicionit si: Jetmir Barbullushi, Markeljan Kapedani, Alfred Kaçinari, Fridi Kraja, Deniola Kuraja, Oleg Arapi etj.
/rtsh.al/