RTSH 24 Live

Aktualitet

Prezantohen drejtuesit e rinj të Policisë në 12 qarqe, Hoxha: Besim te gjenerata e re

9 orë para

Prezantohen drejtuesit e rinj të Policisë në 12 qarqe, Hoxha: Besim te gjenerata e re

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka prezantuar sot drejtuesit e rinj të Policisë në 12 qarqet e vendit.

Në fjalën e tij para prezantimit të emrave të ekipit të ri, Hoxha u shpreh se procesi përzgjedhës ka qenë transparent dhe i bazuar në meritokraci.

Këto përzgjedhje që hyjnë sot në fuqi janë më shumë se një emërim dhe rutinë e disa oficerëve të rinj në drejtimin. I gjithë ky ekip i ri është njëkohësisht besim tek një gjeneratë e re dhe ambicie drejt një niveli të ri të shërbimit të Policisë së Shtetit. 

Ky proces konkurrues, meritokratik e transparent, do të vazhdojë më tej, për të zgjedhur drejtuesit e rinj në 48 komisariate të policisë në territorin e Republikës së Shqipërisë. 

Aktualisht kemi një numër prej 290 konkurruesish që do të marrin pjesë në një garë për 48 pozicionet e ardhshme," deklaroi ministri në fjalën e tij.

Hoxha porositi drejtuesit e rinj të qarqeve që të kenë qasje proaktive ndaj ankesave të qytetarëve dhe të trajtojnë me seriozitet dhe paanshmëri çdo shqetësim të qyetarëve apo të medies.

"Modernizimi i shërbimeve policore kërkon një hov të mëtejshëm. Policia e Shtetit 2030 duhet të jetë një polici e pajisur me sistemet e nevojshme teknologjike, të inteligjencës digjitale dhe është e papranueshme që të mos shpenzohen fondet e veçanta, të vëna në dispozicion nga qeveria për këtë ambicie madhore, thjesht e vetëm nga inkompetenca dhe zvarritjet e shkaktuara prej burimesh njerëzore të papërshtatshme për këtë mision dhe për të kryer këto detyra. 

Drejtoria e Përgjithshme dhe drejtuesit e rinj duhet t’u kushtojnë një vëmendje të veçantë projekteve inovative, të cilat na ndihmojnë tejmase për të kontrolluar territorin, mbikëqyrur trafikun, parandaluar dhe goditur kriminalitetin.

U kërkoj sot drejtuesve të rinj të policisë të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve, por edhe shqetësimeve e problematikave që media ngre, duke i trajtuar ato me seriozitet, transparencë dhe paanshmëri," u shpreh ministri Hoxha. 

Anëtarët e ekipit të ri drejtues në 12 qarqet e Shqipërisë:

  1. Drejtuesi i qarkut Tiranë, Drejtues Elton Alushi
  2. Drejtuesi i qarkut Durrës, Drejtues Vilson Bala
  3. Drejtuesi i qarkut Fier, Drejtues i Parë Skënder Hitaj
  4. Drejtuesi i qarkut Elbasan, Drejtues Fatmir Hoxha
  5. Drejtuesi i qarkut Shkodër, Drejtues i Parë Fatmir Lleshaj
  6. Drejtuesi i qarkut Korçë, Drejtues Erion Ahmeti
  7. Drejtuesi i qarkut Vlorë, Drejtues Elidon Çela
  8. Drejtuesi i qarkut Lezhë, Drejtues Altin Mena
  9. Drejtuesi i qarkut Gjirokastër, Drejtues Altin Merizaj
  10. Drejtuesi i qarkut Berat, Drejtues Luigj Vathi
  11. Drejtuesi i qarkut Kukës, Drejtues Gentian Berberi
  12. Drejtuesi i qarkut Dibër, Drejtues Artion Duka

/rtsh.al/